Bergamo festoi deri në të gdhirë për suksesin e arritur nga Gjimshiti me shokë të cilët dërguan Atalantën për herë të parë në historinë 117-vjeçare të klubit në një finale europiane.
Bergamaskët ia dolën me sukses nga përballja e dyfishtë me Marseille duke i eliminuar francezët me rezultatin e përgjithshëm 4-1.
Një arritje e jashtëzakonshme për Atalantën që shpërblen punën disavjeçare të drejtuesve të klubit dhe trajnerit Gian Piero Gasperini për filozofinë e ndjekur.
Kështu, ishte e pamundur që në Bergamo të mos i gëzoheshin këtij triumfi me tifozët të cilët u mblodhën në qendër ku nuk munguan edhe fishekzjarret.
Tashmë, Atalanta nis përgatitjet për dy finalet e këtij sezoni teksa më datë 15 maj sfidon Juventusin për Kupën e Italisë ndërsa më 22 maj, në Dublin përballet me Bayer Leverkusen për trofeun e Europa League.