Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 33-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të KF Ballkanit, Bajram Jashanica.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Bujar Asllani, Naim Kodraliu dhe Flamur Sinani.
Ky komision ka vendosur që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e 33-të t’i jepet Bajram Jashanicës, pasi ai shënoi golin e parë që çoi ekipin suharekas drejt fitores së rëndësishme.
Pasi mori këtë çmim Jashanica u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Jam i lumtur për çmimin ‘Ylli i Javës’. Çdo sukses e çmim është motiv shtesë. Më gëzon fakti që skuadra është në formë të mirë dhe po rrugëton drejt titullit të tretë radhazi.
Uroj që edhe në tri ndeshjet e mbetura të kemi paraqitje të mira dhe ta përmbyllim edhe këtë edicion me trofe”, tha Jashanica për faqen zyrtare të FFK-së..