Shqipëria U17 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Malit të Zi U17. Departamenti i Komunikimit në FSHF, bën me dije se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Malit të Zi që dy sfidat të luhen në datat 22 dhe 24 maj.
Takimi i parë do të zhvillohet në Podgoricë (17:45), ndërsa sfida e dytë do të luhet pas dy ditësh në stadiumin “Loro Boriçi” (20:30).
Kombëtarja U17 zhvilloi një takim miqësor me Slloveninë U17 në datën 18 prill, ku kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi triumfuan 2-1.
Ndeshje miqësore me Malin e Zi do të shërbejnë për të vëzhguar e provuar nga afër lojtarët e grumbulluar. Teksa fokusi i përgatitjeve është te raundi i parë kualifikues për Kampionatin Europian U17 “Shqipëri 2025”.
Pak ditë më parë u hodh shorti në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës. Shqipëria U17 u pozicionua në Grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.
Kuqezinjtë e Shkëmbit janë kualifikuar automatikisht në finalet e Europianit U17, pasi ky event madhor do të organizohet në vendin tonë.