Pas fitores me Leccen, Atalanta ka përqendruar vëmendjen totalisht në Europa League, aty ku të mërkurën në mbrëmje do të përballet në finale me Bayer Leverkusen në Gllasgou.
Trajneri Gasperini ka vlerësuar skuadrën gjermane, megjithatë ka pranuar se Atalanta e tij mund t’ia dalë dhe do të bëjë maksimumin për t’u rikthyer në Itali me fitore.
“Leverkusen është një rul që shtyp këdo që i del përpara. Fituan titullin dhe kanë 50 ndeshje pa humbje, ndaj ligji i numrave duhet respektuar. Megjithatë ne jemi të vetëdijshëm për forcën tonë dhe e dimë që mund t’ia dalim. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të provojmë të fitojmë, për ta sjellë trofeun në Itali”, u shpreh Gasperini.
Emri i trajnerit italian është lidhur me Napolin, megjithatë vetë tekniku i Atalantës nuk kërkon të shpërqendrohet dhe shmang komentet për të ardhmen.
“Të ardhmen e vendosim më vonë. Kemi siguruar zonën Champions dhe besoj se ky ishte maksimumi që mund të merrnim këtë sezon, pasi nuk jemi skuadër e ndërtuar për titull”, tha Gasperini.