Di Canio kritikon Spallettin

Futboll

Di Canio kritikon Spallettin

Më: 29 maj 2024 Në ora: 11:13
Paolo Di Canio

Ish-sulmuesi italian Paolo Di Canio ka komentuar zgjedhjet e trajnerit Luciano Spalletti për përgatitjet para Europianit Gjermani 2024, teksa ka mbajtur qëndrimin e tij kundër grumbullimit të mesfushorit të Juventusit, Fagioli.

Ky i fundit ka qëndruar 8 muaj pa aktivitet, pasi u pezullua për përfshirje në baste sportive, teksa Di Canio nuk i kurseu kritikat për Spallettin, që vendosi ta marrë në grumbullim.

“Kombëtarja nuk është një qendër rehabilitimi. Fagioli u pezullua për përfshirje në baste dhe për më tepër, prej 8 muajsh nuk ka pasur mundësinë të zbresë në fushë. Mendoj se nuk duhej të ishte grumbulluar, por jam i bindur që Spalletti nuk do ta marrë në Gjermani”, u shpreh Di Canio.

Ish-sulmuesi italian kritikoi edhe portierin Donnarumma, teksa u shpreh se pret shumë në Europian nga mesfushori Jorginho dhe mbrojtësi i djathtë Raoul Bellanova.

“Donnarumma më ka zhgënjyer. Prisnim të ishte një Buffon i ri, por ai gabon shpesh dhe për më tepër, nuk di të luajë me këmbë. Vihet nën presion sa herë që shokët i pasojnë topin, duke gabuar shpesh. Nuk ofron aspak garanci.

Jam kurioz të shoh Bellanovën, që ka shpejtësi dhe krosime të mira. Gjithashtu pres shumë nga Jorginho, që ka eksperiencën e duhur për të udhëhequr skuadrën. Njeh mirë gjeometrinë e fushës dhe mund të jetë vendimtar me paraqitjen e tij”, tha Di Canio.

Italia do të nisë rrugëtimin në Europian më 15 qershor me përballjen ndaj Shqipërisë në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, teksa më pas do të përballet me Spanjën dhe Kroacinë, gjithashtu pjesë të të njëjtit grup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat