Strategjia e kampionëve

Futboll

Strategjia e kampionëve

Më: 29 maj 2024 Në ora: 13:44
Interi

Nga viti 2021 deri në verën e kaluar, Interi ka qenë i detyruar për të bërë shitje në mënyrë që të autofinancohet në merkato.

Lukaku, Hakimi dhe Politano sollën 200 milionë euro pas titullit kampion që ndali dominimin e Juventusit. Onana dhe Brozoviç ishin shitjet e 1 viti më parë.

Shumë lojtarë të rëndësishëm të sakrifikuar për bilancin, por skuadra gjithsesi ia doli që të ishte fituese falë merkatos kreative të Marotës dhe Auzilios, por edhe zotësisë së Inzagit për të vlerësuar materialin që kishte në dispozicion me punën e lojtarëve. Llogaritë e zikaltërve janë përmirësuar nga sezoni në sezon dhe rritja e të ardhurave nga Champions-i dhe Botërori i klubeve ndihmon drejtuesit që për herë të parë të mos detyrohen të shesin lojtarë të rëndësishëm.

Megjithatë, diçka duhet bërë për të mbushur arkat.

Interi do të sakrifikojë talentin Valentin Karboni, të cilin e vlerëson 30 milionë euro, por ende asnjë skuadër nuk ka mbërritur në atë shifër. Fiorentina ka bërë ofertë deri në 20 milionë euro. Karboni është grumbulluar edhe nga Skaloni për disa ndeshje, teksa këtë sezon ka qenë i huazuar te Monza.

Një tjetër lojtar që mund të sjellë miliona është Denzel Dumfris. Holandezi nuk ka pranuar rinovimin e kontratës që i ka ofruar Interi dhe sigurisht që në vetë klubi do të dëgjojë oferta për të. Nuk do ta humbasë me kosto zero siç ndodhi me Shkrinjarin. Sigurisht që në merkato do të përfundojë edhe Marko Arnautoviç.

Austriaku kërkohet nga disa ekipe në Arabi dhe Interi është i prirur ta largojë për të mos rënduar në bilanc rroga e tij 3,5 milionë euro. Edhe Korrea mund të sjellë disa miliona euro dhe më vonë do të nisë sulmi për transferimin e Gudmunsonit dhe një portieri të dytë. Bento është objektivi kryesor i klubit zikaltër, por mbetet për t’u parë merkatoja në dalje për të nisur lëvizjet hyrëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat