Europiani i dytë për Amir Abrashin

Futboll

Europiani i dytë për Amir Abrashin

Më: 29 maj 2024 Në ora: 18:27
Amir Abrashi

Amir Abrashi është një nga lojtarët e ftuar nga trajneri Sylvinho në Kombëtaren shqiptare, në ekipin që do të marrë pjesë në Euro 2024. Kjo është historike për mesfushorin gjakovar, i cili merr pjesë për herë të dytë në një Europian me Shqipërinë, pasi ishte pjesë e ekipit të Gianni De Biasit edhe në Euro 2016.

Por ç’ka e solli Abrashin në Kombëtare? Shumë e gjykojnë vendimin e Sylvinhos duke e quajtur të padrejtë grumbullimin e tij në Kombëtare, para Keidi Bares. Por Abrashi është një nga lojtarët me më shumë minuta loje në këtë sezon. Gjakovari i cili aktivizohet me ekipin e Garsshoppers në elitën e futbollit zvicerian ka qenë një titullar absolut duke dhuruar dhe 2 asist, gjatë 2984 minutave të lojës.

Por jo vetëm kaq, pasi në të gjitha prezencat e tij në fushë gjatë këtij sezoni, Abrashi ka mbajtur në krah edhe shiritin e kapitenit. Eksperienca e tij, duke kujtuar edhe pjesëmarrjen në Euro 2016 është një nga arsyet kryesore që ai është ftuar nga Sylvinho. Një pikë kyçe në vitin 2016, s’ka si të mos jetë i tillë edhe në një tjetër Europian, duke pasur parasysh që edhe mosha e tij e lejon diçka të tillë, të paktën edhe për këtë kompeticion.

Në moshën 34-vjeçare, Abrashi mori pjesë vetëm në 3 ndeshje kualifikuese të Euro 2024, madje edhe në ato ndeshje ka qenë në stol. Duke filluar nga sfida hapëse përballë Polonisë, për të vazhduar më pas me ndeshjet e qershorit, atë kundër Moldavisë në “Air Albania” dhe Ishujve Faroe në transfertë.

Por sipas ftesës së Sylvinhos, kualifikueset nuk kanë më shumë rëndësi se minutat e marra gjatë sezonin me klubin, apo edhe eksperienca që mund të ketë një lojtar. Eksperiencë e cila nuk mund të ndihmojë vetëm në fushën e blertë, por sigurisht edhe në dhomat e zhveshjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat