Te Partizani situata vijon të jetë tejet delikate sa i përket qëndrimit apo jo të drejtuesve të skuadrës.
Vetë presidenti Demi ka kërkuar që situata të ftohet dhe vendimet të merren pa gjaknxehtësinë e humbjes së titullit, por që do të ketë masa, është thuajse e sigurt.
Fillimisht do të duhet të mësohet nëse trajneri Shehi dhe drejtori Abilaliaj do të vijojnë të jenë pjesë e klubit. Mund të largohet njëri prej tyre, asnjëri, por edhe të dy. Në prapaskenë kanë nisur edhe aludimet e para mbi listat e zëvendësuesve, ku në skenë deri më tani kanë dalë emra trajnerësh e drejtorësh të papunë.
Zoran Zekiç konsiderohet si një opsion për stolin nëse ikën Shehi, ndërsa Nderim Nexhipi ka qarkulluar si një mundësi për të marrë postin që aktualisht e mban Arbër Abilaliaj. Në skuadër priten lëvizje me shumicë, por pas konfirmimit të drejtuesve.