Nuk ka dyshime se të fitosh Ligën e Kampioneve nuk është prestigj, apo një ëndërr e bërë realitet qoftë sikur edhe vetëm një herë të vetme për futbollistë e trajnerë. Por Champions do të thotë edhe një thes i madh me para.
Madje, vetëm finalja e këtij turne është një xhiro prej 100 milionë eurosh në rang premiosh që fitojnë klubet nga UEFA.
Ndonëse sesa do të arkëtojnë saktësisht në total Reali i Madridit, Borusia e Dortmundit, apo edhe secila prej 32 pjesëmarrëseve të tjera të këtij sezoni, kjo do të zbulohet nga qeveria e futbollit vetëm pak javë më pas, pasi të bëhen të gjitha “llogaritë”, shifrat që njihen deri tani janë:
Nëse sot në mbrëmje, në mitikun “Uembli” do të jetë Reali i Madridit ai që do të ngrejë kupën me veshët e mëdhenj, atëherë arkëtimi bazë do të jetë prej 84.5 milionë eurosh.
Në rastin se fitues shpallet Dortmundi, atëherë fitimi i gjermanëve do të prekë shifrën 77.9 milionë euro. Por këtyre dy shumave do t’u shtohen edhe diçka më shumë se 50 milionë euro të tjera që lidhen me “market pool”-in, e thënë ndryshe të ardhurat që u shpërndahen klubeve nga sponsorët, të drejtat televizive etj.
Sipas shifrave të raportuara nga UEFA, lidhur me triumfin e fundit të Realit në Champions, në vitin 2022, madrilenët çuan në shtëpi 133.7 milionë euro, ndërsa Liverpuli, finalisti i rastit, 119.9 milionë euro. Ndërkohë, për Bajernin e Mynihut dhe Mançester Sitin, dy gjysmëfinalistet, shuma ishte përkatësisht 109.6 dhe 108.7 milionë euro.
Por nga 2022 në 2024 premiot që UEFA shpërndan janë rritur edhe më tej, duke qenë se vetëm pjesëmarrja garanton 15.6 milionë euro. Një fitore në fazën e grupeve garanton 2.8 milionë euro, ndërsa barazimi 930 mijë euro. Kualifikimi në 1/8-at e turneut siguron 9.6 milionë, për çerekfinalistet 10.6 apo edhe 12.5 milionë euro për secilën nga katër gjysmëfinalistet. Për sa i përket finales, triumfuesi arkëton 20 milionë, ndërsa humbësi 15.5 milionë euro.