Me përfundimin e sezonit në Superligë, përfundoi edhe aventura katër vjeçare e Armend Dallkut në krye të Dukagjinit si trajner. Gjatë kësaj periudhe, Dallku e bëri Dukagjinin njërën nga skuadrat më të respektuara në elitën e futbollit kosovar, derisa kulmoi me pjesëmarrjen në garat evropiane vitin e kaluar.
Në një intervistë, Dallku tregoi fillimisht për gjendjen e vështirë në të cilën e kishte marrë klubin nga Klina.
Dallku: Dukagjinin e mora në gjendje shumë të rëndë, njerëzit më quajtën të “çmendur”
“Dukagjinin kur e kemi marrë, e kemi marrë në një pozitë shumë të pa lakmueshme, ka qenë në kategorinë e parë, në një pozicion shumë të pa lakmueshëm, me një sërë problematikash sepse ka qenë viti që Dukagjini kishte rënë nga superiorja në kategori të parë pastaj e ka pasur shumë të vështirë riorganizimin edhe me lojtarë edhe me trajnerë...Shumë njerëz më kanë quajtur në një far forme të çmendur sepse nga Prishtina, nga një ekip që e kemi fituar Kupën e Kosovës edhe deri në xhirot e fundit kemi luftuar për Superligë, vitin tjetër të shkoj në kategori të parë shumë njerëz e kanë quajtur jo si dështim, por si një hap prapa”, tha fillimisht Dallku.
Ai tha se pjesëmarrja e suksesshme e Dukagjinit në Evropë i solli pikë pozitive futbollit kosovarë në përgjithësi.
Dallku: Dukagjini i dha pikë Kosovës me paraqitjet e mira në Evropë
“Unë kam pasur përvojë në garat ndërkombëtare, shumë përvojë të madhe edhe me Kombëtaren Shqiptare për 10 vite edhe me ekipin nga Ukraina ku kam qenë. Kemi qenë pjesëmarrës në grupe të Ligës së Evropës dhe në një far forme kjo më ka ndihmuar shumë që të bisedojë më shumë lojtarë edhe individualisht por edhe kolektivin për ta përgatitur për një ndeshje të rangut të Evropës...Edhe kemi arritur që të përgatisim ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme që në këto dy ndeshje të dalim fitimtar dhe t’i japim pikë Kosovës sepse çdo fitore në garat evropiane është pikë shtesë për shtetin dhe jo rastësisht në këtë vit marrin pjesë katër ekipe dhe një ekip në grupet kualifikuese të Ligës së Evropës”, theksoi Dallku.
Por, tashmë ish-trajneri i Dukagjinit ka zbuluar edhe zhgënjimin e madh që përjetoi te kjo skuadër, gjë e cila edhe solli ndarjen e tij me skuadrën nga Klina.
Dallku: Bizneset në Klinë na kthyen shpinën, nuk na mbështetën
“Ne kemi qenë të zhgënjyer, jo vetëm unë por gjithë stafi edhe lojtarët që biznesi i Klinës apo i rajonit të Dukagjinit nuk ishte afër klubit edhe unë me tërë vërtet jam zhgënjyer shumë sepse pas një suksesi që është sukses i jashtëzakonshëm për qytetin e Klinës kam pritur shumë njerëz, shumë donatorë, shumë dashamirës të futbollit, të atij qyteti, të atij klubi të ofrohen rreth klubit dhe të na krijojnë mundësi neve si staf që të marrim lojtarë më kualitativ, lojtarë që dinë se si fitohet dhe që dinë ta bartin barrën sa i përket gjithë kampionatit dhe pse jo ta përsërisim suksesin e viti të kaluar...Mirëpo ndodhi e kundërta dhe në një far forme erdhi deri te zhgënjimi jo vetëm i yni si staf, por edhe i futbollistëve”, shtoi më tutje Dallku.
E përkundër vështirësive, Dallku ka thënë se largimi nuk ishte i planifikuar.
Dallku: Vendimi për largim erdhi pasi skuadra ka probleme financiare
“Jo, i planifikuar nuk ka qenë sepse ne jemi trajnerë, lojtarë, jemi pjesë e komunitetit të futbollit që gjithmonë ka thirrje e dëshira për të shkuar mirëpo unë gjithmonë jam ai që e mbajë njëfarë burrnie që duhet ta çojë misionin deri në fund dhe pastaj me qetësi të marr vendim, gjithmonë për të mirën jo vetëm të individit por edhe të kolektivit e të qytetit. Në përfundim të kampionatit kam menduar se disa gjëra do të zgjidhen, sidomos disa probleme financiare që e ka pasur ekipi për një kohë të caktuar që kam menduar se do të zgjidhen dhe ekipit të shkojë në një pushim të merituar, mirëpo nuk ka ndodhur një gjë e tillë, ka pasur ngecje në këtë drejtim”, bëri të ditur Dallku.
Sa i përket të ardhmes, Dallku zbuloi se ka oferta nga disa klube të Superligës, por edhe nga jashtë Kosovës.
Dallku: Kam oferta nga klubet e Superligës, por edhe nga jashtë Kosovës
“Normalisht që kemi pasur thirrje e telefonata, mirëpo për momentin e kemi pasur një pauzë, sa do të zgjasë kjo pauzë, e shkurtë apo e gjatë nuk e dimë. Nuk diskutohet që ka disa mundësi për t’u bashkangjitur me ndonjë klub, mirëpo për ne si staf nuk është e domosdoshme vetëm bashkëngjitja me ndonjë klub...Kemi pasur edhe oferta nga Superliga edhe nga Liga e Parë edhe nga jashtë shtetit. Nuk është fshehtësi do të thotë që edhe në janar e kam pasur një ofertë të rikthehem te klubi im në Ukrainë Vorskla Poltava.”, zbuloi Dallku.
Ndryshe, në edicionin që sapo ka përfunduar, Dukagjini i rendit në pozitën e shtatë me 45 pikë.