Shanset për largimin e Kristjan Asllanit nga Interi rriten gjithnjë e më shumë. Ndryshe nga sezoni i vjetshëm, këtë vit Asllani ka gjetur më shumë minuta. Por, kjo pasi zikaltërit e kishin ‘siguruar’ kampionatin 2 muaj para.
Zgjedhje e dytë pas Hakan Calhanoglut, mesfushori shqiptar e zëvëndësoi denjësisht turkun sa herë iu dha rasti. E sërish nuk mund të fitonte më shumë minuta se kaq duke mbetur thjeshtë një alternativë.
Dy vite si zikaltër dhe e njëjta histori, ndërsa komplimentat dhe elozhet nga trajneri Inzaghi mbeten thjeshtë fjalë boshe si një ‘fërkim shpatullave’ për t’i mbyllur gojën. Një aventurë e re duket ‘çliruese’ për të teksa në Itali shtohen gjithnjë e më shumë zërat për të paktën një huazim këtë verë.
Aston Villa prej 1 viti mban shënime për shqiptarin, por në Serie A janë disa skuadra që do t’i jepnin fanellën e titullarit absolut. Empoli, pas sigurimit të mbijetesës, do të ishte mjaft e kënaqur me rikthimin e 22-vjeçarit, por së fundmi është shtuar edhe Torino.
Klubi ‘granata’ e sheh Asllanin si dirigjentin e mesfushës për sezonin e ri.
Kjo lëvizje shihet si idealja pasi Torino luan me të njëjtin modul si Interi. Huazimi është parësor, por në tryezë mund të bisedohet edhe për transferimin final duke qenë se kampionët e Italisë janë të interesuar për mbrojtësin Buongiorno që vlen rreth 40 milionë euro, kundrejt 20 të Asllanit.
Kampionati Europian me Shqipërinë do të jetë deçiziv për shumë lojtarë, mes tyre dhe Asllanin. Një paraqitje e mirë sigurisht rrit kuotat, vlerën dhe interesin në merkato. E veçantë do të jetë ndeshja Itali – Shqipëri më 15 qershor, aty ku Asllani do të ketë një vëmendje të veçantë.