Feronikeli 74 nga Drenasi ka mbetur në elitën e futbollit të Kosovës.
Skuadra nga Drenasi ka shënuar fitore me rezultat 1:0 ndaj Prishtinës së Re, në finalen e barazhit.
Feronikeli si i teti në elitën e futbollit dhe Prishtina e Re si e dyta në Ligën e Parë të Kosovës, grupi B, u përballen mes vete në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku ishin të pranishëm rreth 500 shikues.
Në minutën e 17-të, Haliti pati rast të mirë por portieri Egzon Bislimi i Prishtinës së Re reagoi bukur.
Në minutën e 64-të, Labinot Jetullahu realizoi për Prishtinën e Re por anulohet për shkak të pozitës jashtë loje.
Zëvendësuesi Alban Shillova në minutën e 78 shënoi me kokë por anulohet pas shikimit të VAR-it që u desh të paktën dhjetë minuta deri sa u konstatua për pozitë jashtë loje.
Në minutën e 90+7, Shillova që u fut në lojë si zëvendësues (63’) ka realizuar duke e shokuar Prishtinën e Re.
Skuadra e Shefki Kuqit mbetet në ligë dhe Prishtina e Re nuk e realizoi synimin që të hyjë në shoqërinë e më të mirëve.