Ankandi i Topit të Artë të Diego Armando Maradonës pas Kupës së Botës 1986 mund të vazhdojë, siç u vendos ditët e fundit nga gjykata në Nanterre të Francës.
Këtë e ka bërë të ditur avokati i trashëgimtarëve të futbollistit argjentinas, i cili u përpoq të ndalonte ankandin duke nisur procedurat ligjore urgjente, për Associated Press.
Avokati Gilles Moreu deklaroi në lidhje me vendimin e fundit se “gjithsesi nuk ishte i favorshëm për trashëgimtarët e Diego Maradona”.
Trofeu i çmuar, i cili u zhduk për dekada në rrethana misterioze dhe vetëm së fundmi u rishfaq, do të dalë në shitje më 6 qershor në Paris në shtëpinë e ankandeve Aguttes.
Trashëgimtarët e Maradona-s pretendojnë se trofeu ishte vjedhur dhe se pronari aktual nuk kishte të drejtë ta nxirrte në ankand.
Aguttes tha se Topi i Artë (i cili dyshohet se ishte vjedhur nga një bankë në Napoli së bashku me sende të tjera që i përkisnin futbollistit) u rishfaq në vitin 2016 mes objekteve të tjera të blera nga një koleksion privat në ankand në Paris.
Avokati Moreu raportoi se gjykata e Nanterres gjeti se pronari aktual i objektit, z. Benchaieb, “duhet të konsiderohet në mirëbesim”.
Avokati i trashëgimtarëve të Maradona-s siguroi se klientët e tij “do të ushtrojnë të gjitha rrugët e mundshme të apelimit”. Moreu specifikoi se ai e kishte paraqitur tashmë ankesën në Gjykatën e Apelit të Versajës dhe tha se tani shpresonte të merrte një seancë dëgjimore përpara datës 6 për të ndaluar shitjen.
“Topi i Artë është një pasuri unike që fëmijët e Diego Maradonës duan ta rikuperojnë. Asnjë kompensim nuk mund të riparojë dëmin e pësuar nëse ky trofe shitet”, tha ai, para se të shtonte:
“Po flasim për një trofe, jo për një pronë të thjeshtë që do të përfundojë me një koleksionist shumë të pasur”.
Topi i Artë i Maradona-s mund të kalojë vlerën e 10 milionë eurove dhe të bëhet objekti sportiv më i shtrenjtë në histori.
Paralelisht me procedimin e trashëgimtarëve, Zyra Qendrore Franceze për Trafikimin e Pasurive Kulturore po verifikon nëse ka një vepër penale të “fshehjes së sendit të vjedhur” nga koleksionisti..