Kombinim i shenjtë: Real Madridi dhe Liga e Kampionëve

Futboll

Kombinim i shenjtë: Real Madridi dhe Liga e Kampionëve

Më: 2 qershor 2024 Në ora: 10:26
Foto ilustrim

Historia duket se asnjëherë nuk do të ndryshojë…

Real Madridi ngriti në qiell trofeun e Ligës së Kampionëve për të 15-ën herë, në vitin që ata vuajtën më së shumti.

Por, emri i këtij kompeticioni vlen shumë për “Los Blancos”. Këta të fundit po ashtu vuajtën shumë mbrëmë ndaj Borussia Dortmundit, por, sërish ia dolën dhe morën fitoren.

Është diçka e shenjtë. Diçka e mbinatyrshme kur Dani Carvajal del në skenë dhe shënon, madje me kokë…

Borussia Dortmund bëri një sezon shumë të mirë, dhe e nisi mbarë finalen e madhe të Londrës, por nëse i çon dëm disa raste të mira shënimi, atëherë situata komplikohet.

Atëherë, kur je më së shumti në rehati, Real Madridi të dënon. Të prek në pikën e dobët, e më nuk do të arrish të kthehesh në lojë. Të paktën, kështu ka ndodhur në 6 finalet e fundit të klubit mbretëror në këtë kompeticion.

Real Madridi dhe Liga e Kampionëve, një kombinim i shenjtë, një historike romantike si në librat e Jane Austen.

Dhe, asnjëherë nuk është rastësi. Që nga 1/8 e finales e përtej, ndoshta ishte ekipi që luajti më se keqi, mirëpo Real Madridi gjithmonë arrin të fitojë. Gjithmonë!

Duke nisur nga sezoni 1955/56 e deri në ditët e sotme, ky klub ka shkruar historinë e tij me shkronja të arta në Ligën e Kampionëve.

Ky kompeticion u përket atyre. Çdo lojtar që nënshkruan me Real Madridin, automatikisht e mëson se çfarë rëndësie ka kjo garë për madrilenët.

Të pangopur. Katër lojtarë me 6 tituj të Ligës së Kampionëve në emrin e tyre, dhe ende duket se janë të uritur për të fituar edhe edicionin e ardhshëm.

Këtë po e thotë edhe Florentino Perez, i cili menjëherë pas ndeshjes mbrëmë tha se jemi në ‘gjah’ për të 16-tin.

Si mund t’i mposhtësh këta lojtarë, që hanë, pinë e mendojnë se si të fitojnë edhe një herë Ligën e Kampionëve?

Këtë sistem që e ka aplikuar Florentino Perez në kokat e tyre është shumë i frikshëm për kundërshtarët, sepse në përballje ndaj Realit duhet të përgatitën dy-tri herë më shumë se ndaj çdo kundërshtari tjetër. Kjo për faktin, se përveç fushës, ata duhet t’i mposhtësh edhe mentalisht, sepse aty qëndron pika e tyre më e fortë. Fuqia në mendjet e tyre për mos t’u dorëzuar deri në fishkëllimen e fundit. E kemi parë në disa raste, duke nisur nga Sergio Ramos më 2014, e deri te Joselu më 2024.  

15 herë kampion të Ligës së Kampionëve. 8 më shumë se vendi i dytë në listë. Është baras me trofe me komplet Premier League. Ka më shumë se Serie A bashkë. Ka lojtarë që ia kalojnë me trofe Barcelonës, e janë baras me Liverpool e Bayern Munchen…

Siç thotë Alvaro Arbeloa në një dokumentar të Real Madridit: “Kur të gjithë mendojnë se Real Madridi është i rënë për toke, atëherë ne shkojmë dhe e fitojmë Ligën e Kampionëve”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat