Anelka paralajmëron Mbappen

Futboll

Anelka paralajmëron Mbappen

Më: 4 qershor 2024 Në ora: 14:34
Mbappe

Nicolás Anelka e di si pak të tjerë se çfarë e pret Mbappé në “Bernabeu”. Ish-sulmuesi i Real Madridit gjatë sezonit 1999-2000 mbërriti në klubin e bardhë si një yll i madh nga Arsenali i Arsene Wenger. Të gjithë e dinë tashmë historinë e tij.

Pavarësisht disa momenteve të shkëlqyera me “Los Blancos”, nënshkrimi i tij doli të ishte një fiasko totale, sepse luajti vetëm 19 ndeshje. Edhe pse ka shumë dallime mes të dy lojtarëve, duke filluar nga mosha në të cilën ata mbërrijnë në Madrid, Anelka është në gjendje të analizojë çfarë e pret bashkatdhetarin e tij.

Të besosh veten më shumë se klubin: “Asnjë lojtar nuk është mbi klubin.

Në çdo rast, nuk është kjo arsyeja pse ai është atje. Real Madrid nuk ka asgjë si PSG. Në Paris, Kylian mbërriti si i ri në një klub që nuk ka të njëjtën histori. Reali ka një të kaluar shumë më të madhe. Atje nuk ka asnjë shans që të ndihet më i fortë se klubi”.

Çfarë do ta këshillonte: “Asgjë, sepse ai tashmë flet spanjisht. Kësisoji, pjesa e vështirë ka mbaruar. Kur shkova tek Arsenal dhe më pas te Real Madridi, më duhej të mësoja anglisht dhe më pas spanjisht. Kjo gjithmonë ta ngadalëson pak përshtatjen.

Ai nuk duhet të presë në këtë aspekt, është gati. Kylian përgatitet prej vitesh për të luajtur në Spanjë apo Angli. Gjithçka është bërë dhe mendohet që të ketë shpejt sukses. Kësisoji, nuk ka nevojë për këshillën time. Ai ka planifikuar gjithçka”.

Pritshmëritë e larta: “Jam i sigurt se do të japë 100% që në fillim në Madrid. Por, nëse nuk do të ketë pushuar mjaftueshëm, ngaqë do të luajë edhe në Europian, a do të jenë në gjendje të vringëllojnë këmbët e tij? Sigurisht, ai është i ri, por me mbingarkesën e ndeshjeve mund ta dëmtojë sezonin e tij të ri në Madrid. Është shumë mirë të duash ta përfaqësosh vendin tënd kudo, por ndonjëherë duhet të jesh i arsyeshëm”.

Të jetosh në Madrid: “Sinqerisht, nëse mendoni se do të jeni në gjendje të ecni në rrugë paqësisht, harrojeni! Nuk mendoj se mund të lëvizë më si nëpër Paris. Sinqerisht, njerëzit do të duan gjithmonë ta prekin, të flasin me të, të bëjnë ‘selfie’… Ata e kanë pritur aq gjatë, sa nuk do ta lënë të bjerë në tokë… Nuk e di se si është ai në jetë, do të ishte më mirë nëse i pëlqen të qëndrojë në shtëpi, sepse do të jetë e pamundur për të të jetojë si një vendas madrilen”.

Nëse do të ketë sukses: “Kylian duket sikur është krijuar për Real Madridin. 20 vite më parë, futbolli ishte ndryshe dhe nuk do t’i shkonte atij. Por, mënyra e lojës së sotme të Ancelottit është pikërisht ajo për të cilën Kylian ka nevojë. Ai bazohet në shpejtësinë dhe me lojtarët e mësuar të luajnë së bashku.

Nëse kësaj i shtojmë inteligjencën e Ancelottit për të integruar Kylian, është me të vërtetë kokteji perfekt. Vërtet, nuk ia kam frikën, Kylian do të bëjë mirë te Real Madridi. Do të ishte i suksesshëm edhe në Angli. Me nivelin e tij e bën ndryshimin kudo”.

A do të lërë gjurmë: “Do ta ketë të vështirë të kalojë atë që ka arritur Cristiano Ronaldo te Real Madridi. I takon atij të ketë të njëjtat statistika, por le të mos mendojmë se duhet të lërë gjurmë në karrierën e vet. Kylian tashmë e ka bërë këtë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat