Sulmuesi anglez paralajmëron kundërshtarët në prag të EURO 2024

Futboll

Sulmuesi anglez paralajmëron kundërshtarët në prag të EURO 2024

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 16:36
Herri Kejn

Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn i shtoi një tjetër gol koleksionit të tij me kombëtaren, duke mbërritur në shifrën e 63 golave në miqësoren e fundit kundër Bosnjë Hercegovinës dhe u konfirmuar si bomberi që pritet të udhëheqë “tre luanët” në Europianin e Gjermanisë.

Pas problemeve të tij fizike të javëve të fundit të sezonit me Bajernin e Mynihut, ai ka rigjetur formën e tij dhe ndaj Islandës, në testin e fundit përpara “Euro 2024” të premten, pritet që të jetë titullar.

Sulmuesi, i cili vlerësoi edhe Kol Palmerin për startin e tij të parë me fanellën e kombëtares, por edhe golin me penallti që i hapi rrugën fitores së ishullorëve ndaj ballkanasve, vlerësoi me superlativa talentin e Çelsit:

“Që ai të bëjë atë që ka bërë në sezonin e tij të parë në klub (pas transferimit nga Mançester Siti te Çelsi), është merita e tij. Jam i kënaqur për golin e tij. Do të duhen të gjithë lojtarët e skuadrës që të shënojnë gola gjatë gjithë këtij turneu”.

FORMA – Ndërsa për gjendjen e tij fizike, ish-sulmuesi i Totenhemit, shtoi se nuk i duhet shumë kohë për ta rigjetur atë: “Po ndihem mirë.

Shumë nga ajo që ndodhi në fund të sezonit, duke mos u aktivizuar ishte për të mos rrezikuar. Ishte një shans i mirë për të marrë një pushim në fund të sezonit. Ndihem mirë. Jam i sigurt që do të luaj disa minuta të premten.

Gjithmonë ka funksionuar në favorin tim. Rëndësi ka që të marr disa minuta në këmbë. Unë nuk jam dikush që më duhet shumë kohë për të kapur formën”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat