David Atanaskoski nuk do të jetë më lojtar i Partizanit.
Mbrojtësi dhe klubi kryeqytetas kanë vendosur të ndajnë rrugët mes tyre.
27-vjeçarit i ka përfunduar kontrata me “Demat” dhe në këtë mynyrë mes lojtarit dhe klubit nuk është vazhduar zgjatja e kontratës.
Në këto kushte mbrojtësi maqedonas largohet nga kryeqyteti me parametra zero.
Largimin e ka zyrtarizuar vetë 27-vjeçari nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Atanaskoski falenderon Partizanin për mundësinë e dhënë. Kujtojmë se 27-vjeçari është bërë pjesë e të kuqve në korrik të vitit 2022 dhe tashmë largohet pas 2 sezonesh.
Mbrojtësi është një nga lojtarët më me shumë minuta te “Demat”, i cili ia doli të fitonte një vend në 11-she, duke lënë në stol Paulo Buxhelajn.
Në këtë sezon me fanellën e Partizanit zhvilloi 44 ndeshje, ku ia doli të shënonte 1 gol dhe të dhuronte 3 asiste, duke qenë një titullar i padiskutueshëm në formacionin e kryeqytetasve.