Italia ndryshon skemën e lojës para Shqipërisë

Futboll

Italia ndryshon skemën e lojës para Shqipërisë

Më: 6 qershor 2024 Në ora: 23:39
Italia

Një ditë pas barazimit 0-0 me Turqinë, rezultat që la një shije të hidhur dhe solli jo pak kritika nga opinioni sportiv, Italia e Luçiano Spaletit mundi 3-1 U-20-ën në një test të zhvilluar në Koverçano.

U luajtën dy pjesë nga 35 minuta dhe kjo provë e parafundit e ndihmon trajnerin para se të bëjë shkurtimet. Në fushë zbritën ata që luajtën pak ose aspak ndaj Turqisë.

Në këtë test të fundit para sfidës me Shqipërinë, trajneri Spaleti provoi një modul të ri loje, duke kaluar në mbrojtjen me 3 lojtarë. Ai aktivizoi po ashtu dy sulmues, Raspadorin dhe Skamakën, të dy vendimtarë me nga një gol në çdo pjesë.

Prania e lojtarit të Atalantës në qendër të sulmit u duk përcaktuese, pasi pas 4 minutash ai zhbllokoi ndeshjen me një kthesë të bukur në zonë. Pjesa e parë, edhe falë pranisë së Riçit dhe El Sharauit tek Italia U-20, ishte e ekuilibruar.

El Sharaui dështoi nga pika e bardhë penalltinë e fituar nga Riçi. Spaleti provoi dy formacione të ndryshme dhe gjatë pjesës së dytë kaloi në rreshtimin 3-4-2-1, me Folorunshon të spostuar si gjysmë-sulmues, bashkë me Raspadorin.

Sulmuesi i Napolit në sekondat e para të pjesë së dytë realizoi golin e dytë, duke finalizuar një kombinim mes Skamakës dhe Fratezit. Juventini Sekulov shënoi golin e 2-1-shit, pas një gabimi të Belanovës. Pastaj El Sharaui shënoi edhe golin e 3-të.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat