Spanjollët janë mjaft të interesuar në këtë moment për situatën te Shqipëria, pasi është një nga kundërshtarët në grup në Euro 2024. “As” është përpjekur të zbulojë sekretet e Kombëtares kuqezi, duke evidentuar si elementë “kyç” të kualifikimit kuqezi trajnerin Silvinjo, ndihmësin e tij Zabaleta dhe një algoritëm për gjetjen e lojtarëve.
“Si ka mundësi që një vend me 2.5 milionë banorë zë vendin e parë në grup në kualifikueset e Europianit?
Falë një braziliani, një argjentinasi dhe një algoritmi sekret. Baza e Shqipërisë aktuale janë Silvinjo dhe Zabaleta, trajnerët e saj.
Të dy janë mbështetur në një algoritëm për funksionimin e punës së tyre që evidenton të gjithë lojtarët që mund të kenë nënshtetësi shqiptare.
Legjislacioni shqiptar lejon të gjithë ata që kanë një origjinë edhe të largët shqiptare për të marrë nënshtetësinë. I tillë është rasti i Ivan Balliut, i lindur në Spanjë dhe kjo u bë e mundur falë algoritmit, me të cilin janë gjetur rreth 70% e lojtarëve që luajnë për Shqipërinë.
Duhet theksuar se 16 lojtarë kanë lindur jashtë Shqipërisë. Bëhet fjalë për një algoritëm të ngjashëm me atë që përdoret në NFL për merkaton e lojtarëve të lirë”, shkruan “AS” për Kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë do të ndeshen me Spanjën në ndeshjen e tretë në grup. Iberikët luajnë fillimisht me Kroacinë.