Alvarez i pakënaqur

Futboll

Alvarez i pakënaqur

Më: 7 qershor 2024 Në ora: 16:17
Julian Alvarez

Mund të jetë një lajm me të vërtetë surprizë, por Julian Alvarez mund të largohet nga Mançester Siti në merkaton e kësaj vere.

Kampioni i botës me Argjentinën ka qenë një lojtar i rëndësishëm për skuadrën e Pep Guardiolës, por ai mund të kërkojë një mundësi larg “Etihad” për të qenë pjesë e një projekti ku ai mund të ndihet edhe më i rëndësishëm.

Fabricio Romano, eksperti italian i merkatos raporton se e ardhmja e ish-talentit të River Plejtit do të jetë një temë e nxehtë në merkaton e kësaj vere. Romano konfirmon gjithashtu se ka një interes të fortë nga ana e PSG-së për futbollistin, i cili admirohet edhe nga Atletiko e Madridit. Ai është aktualisht zgjedhje e dytë në “Etihad”, ku çelësat e sulmit Guardiola ia ka besuar Erling Halandit.

Dëshira e tij është që të qëndrojë, por kërkon që të ketë një rol më të rëndësishëm në skuadër sezonin e ardhshëm, që për momentin Guardiola nuk ia garanton.

Por trajneri katalanas e vlerëson shumë talentin e tij, duke qenë se ai nuk luan vetëm si një sulmues i mirëfilltë, por operon në shumë zona në fushë, përfshirë atë të rolit të numrit 10. Kontrata e tij në “Etihad” skadon në 30 qershor të vitit 2028.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat