Lajmet që vijnë nga Polonia nuk janë të mira për Juventusin. Arek Milik u lëndua gjatë ndeshjes miqësore kundër Ukrainës. Qendërsulmuesi bardhezi do të detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni dhe për këtë arsye i thotë lamtumirë Evropianit të Gjermanisë.
Në përpjekje për t’iu kundërvënë Malinovskyit, ish-lojtari i Napolit vendosi keq këmbën në tokë, duke lënë menjëherë përshtypjen e diçkaje serioze. Ai pati dhimbje të forta në gju. Milik kishte pësuar një ndrydhje me prekje ligamentesh.
Ndalesë e detyrueshme për të, pas operacionit i duhet një muaj e gjysmë, maksimumi dy për riaftësim. Pra, lamtumirë Kampionatit Evropian nga Milik. Për Juventusin do të thotë ta humbasë qendërsulmuesin e vet në startin e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm.
Pas dëmtimit të rëndë të Arek Milik në testin ndaj Ukrainës, Federata Polake e Futbollit ka lëshuar një deklaratë zyrtare, ku konfirmon se sulmuesi i Juventusit do të detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni:
“Gjatë ndeshjes miqësore kundër Ukrainës janë konstatuar lëndime të shumta, njëri prej të cilëve ai i Arkadiusz Milik, që për fat të keq rezultoi të jetë aq serioz sa e përjashton lojtarin nga pjesëmarrja në fazën finale të Kampionatit Europian. Lojtari do të kthehet në klub dhe do të detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni artroskopik në gju”.