Sipas lajmeve të fundit nga Anglia, pronari i Romës, Dan Friedkin, ka shprehur interesim për të blerë klubin e Premier Ligës, Everton nga Farhad Moshiri.
Biznesmeni britaniko-iranian ka kërkuar blerës për Evertonin për një kohë dhe pronarët e Genoas “777 Partners” dukeshin se ishin në rrugën e duhur për të finalizuar një marrëveshje për klubin anglez, pasi kishin arritur një marrëveshje për të blerë 94% të aksioneve nga Moshiri në shtator të vitit 2023, raporton KosovaPress.
“777 Partners” i kishte dhënë një hua prej 200 milion funtesh Evertonit për të ndihmuar në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre financiare, por ata nuk arritën të plotësonin kushtet e kërkuara të pronësisë së Premier Ligës, duke i detyruar ata të largoheshin nga gara. Ekskluziviteti i tyre për një marrëveshje tani ka kaluar, duke lejuar palët e tjera të përfshihen.
Siç raportohet nga “Sky Sports UK”, pronari i Romës, Friedkin është një nga palët e interesuara për të blerë Evertonin nga Moshiri, duke iu bashkuar pesë grupeve të tjera në garë.
Biznesmeni amerikan ka një vlerë neto të vlerësuar prej rreth 4.8 miliardë funtesh dhe ka ndihmuar në stabilizimin e gjërave në kryeqytetin italian që nga ardhja e tij në vitin 2020.