Flet shoku i jetës së Fadil Vokrrit, tregon një detaj interesant 

Futboll

Flet shoku i jetës së Fadil Vokrrit, tregon një detaj interesant 

Nga Më 9 qershor 2024 Në ora: 14:55
Fadil Vokrri e Sahit Kelmendi, disa foto që tregojnë shoqërinë e zjarrtë mes tyre

Të pandashëm në fushë dhe në jetë private! 

Tandem që nuk përsëritet kurrë në futbollin e Kosovës: Fadil Vokrri dhe Sahit Kelmendi!

Fadil Vokrri, edhe kur u largua nga Prishtina e shkoi në Partizan të Beogradit në verën e vitit 1986, sa herë ka ardhur në Prishtinë, të parin që e thërriste për të takuar ka qenë Sahit Kelmendi. 

Image

Edhe kur shkoi në Nimes të Francës, kur kthehej në Prishtinë, të parin që e thërriste ishte Sahit Kelmendi. 

Vokrri e Kelmendi, ishin të lidhur ngushtë mes vete dhe familjarisht, shoqëri që pak e kush e kishte sikur këta të lartpërmendurit.

Legjenda e gjeneratës së artë të Prishtinës, Sahit Kelmendi, flet me krenari për shokun e jetës, për bashkëlojtarin e tij dhe deri në frymën e fundit, ishin të pandashëm. 

Kelmendi ndalet për një çast, merr frymë thellë, duke thënë se Vokrri në ekipin e Prishtinës, ishte siguri për të gjithë ne.     

“Kur e kishim lojën dhe Vokrri në fushë, ka qenë një siguri për ne.

Siguri për gjithë ekipin”, thotë Kelmendi për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Kelmendi kujton edhe momentet më të bukura me Fadil Vokrrin pas çdo fitoreje me Prishtinën.

“Ka ditë me bë atmosferë e me ia thënë këngës. Ka qenë i shoqërueshëm. 

Pas çdo rezultati, ka bë atmosferë me shokë, i shoqërueshëm, i ka pas të gjitha tiparet e njeriut”, ka nënvizuar Kelmendi.

Gjeneratat e vjetra, kujtojnë shumë fitore të Prishtinës, por i përmendin edhe dy në kryeqytetin e Kosovës, me rezultat 2:1 ndaj Cërvena Zvezdës së Beogradit (1 dhjetor, 1985) dhe 1:0 ndaj Partizanit (13 prill, 1986). 

Momentin më të vështirë e ka pas përballjen me Fadil Vokrrin në vjeshtën e vitit 1986 (5 tetor), kur Vokrri luante në Partizan e Kelmendi në Prishtinë, ballafaqim që pati përfunduar baras (0:0).  

“Nuk iu besoja syve që Vokrri është me tjetër fanellë dhe po luaj kundër tij. Kështu është sporti”, ka përfunduar legjenda Kelmendi.

Vokrri sot ka 6 vite që ka ikë në amshim por gjithmonë do të jetë në zemrat e shqiptarëve. Ai vetëm ka ndërruar jetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat