Eroll Salihu, ish sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, kujton momentet interesante me legjendën e futbollit Fadil Vokrri.
Për më shumë se një dekadë Salihu ka qenë krah i djathtë i Vokrrit apo i pandashëm natë e ditë.
Salihu ka qenë sekretar i përgjithshëm i FFK-së e Vokrri kryetar i këtij asociacioni dhe së bashku në koordinim bënë gjëra të mëdha në të mirë të futbollit të Kosovës.
Salihu tha se me Vokrrin FFK ka pas një imazh të jashtëzakonshëm në Evropë sidomos kur kanë marrë pjesë në Kongresin e UEFA-së dhe të FIFA-së.
“Së pari, për fat keq, që gjithë atë punë që ka bërë Vokrri nuk i ka shijuar frytet e saja më shumë se dy vjet, dy vjet pas pranimit në UEFA e FIFA, ka vdekur.
Ka vdekur shumë i ri, në moshën 58 vjeçare, për shumë njerëz, për familjen dhe shokët e ngushtë sidomos për mua, nuk mund të kompensohet.
11 vjet kam qenë me të, më shumë se më familje, natë e ditë së bashku. Shpesh thoshte: ‘Eroll, a na bëjnë hallall familja dhe qeshte’”, tregon Salihu për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Salihu thotë se me Vokrrin kudo që kanë shkuar i kanë pas dyert e hapura dhe imazhi i FFK-së ka qenë në nivelin më të lartë.
“Me Vokrrin imazhi i FFK-së ka qenë në nivelin me të lartë dhe kur kemi qenë në Kongres qoftë UEFA-së qoftë të FIFA-së, ka pas shumë autoritet dhe shumë shtete kanë mbetur prapa nesh. Autoriteti i Vokrrit shumë shtete i ka lënë nën hije në kongres.
Kemi qenë si federatë në zhvillim shumë të hovshme për një periudhë të shkurtër”, kujton Salihu.
Salihu kujton edhe një fjalë emocionuese në mbledhjen memoriale që u mbajt në Kuvendin e Kosovës për Fadil Vokrrin.
“Në mbledhje memoriale kam thënë: ‘Vokrri paska lind me krye misionin e tij, misionin e futbollit të Kosovës, me anëtarësuar në UEFA dhe FIFA, ku me këtë vepër madhore ka madhështuar familjen dhe shtetin e Kosovës”, ka përfunduar Salihu.