Antonio Conte ka filluar prej pak ditësh aventurën e tij si trajner i Napolit, por është vënë menjëherë në punë për të ideuar ekipin me të cilin do të nisë sezonin e ri. Dhe duket se objektivi i parë i teknikut italian, është të bindë Kviça Kavaratskhelia që të mos largohet gjatë verës.
Gjeorgjiani ka marrë oferta shumë të rëndësishme nga klube të ndryshme evropiane dhe raportohet se po tundohet nga shifrat që i janë ofruar. Konte ka bërë të qartë se dëshiron me çdo kusht të ketë lojtarin në dispozicion e për këtë arsye, po mendon të organizojë një takim me vetë futbollistin.
Mediat italiane raportojnë se Konte do të udhëtojë drejt Gjermanisë për të ndjekur Euro 2024 dhe ndër këto ndeshje që do të shohë atje, do të jetë edhe një e Gjeorgjisë së Kvaratskelias.
Kjo do të jetë mundësia që ai të takojë drejtpërdrejt një nga yjet e skuadrës së tij, që do të ketë një rol shumë më qendror me largimin mëse të mundshëm të Osimhen.