​Ajeti: Shpresojmë të bëjmë diçka speciale në Euro 2024

Futboll

​Ajeti: Shpresojmë të bëjmë diçka speciale në Euro 2024

Më: 11 qershor 2024 Në ora: 15:28
​Ajeti: Shpresojmë të bëjmë diçka speciale në Euro 2024

Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, doli këtë të mërkurë në një konferencë për mediat nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau në Kamen. Ajeti tregoi ndjesitë në prag të Kampionatit Europian dhe theksoi se është gati 100% për të dhënë kontributin e tij. Futbollisti kuqezi foli edhe për tre ndeshjet e grupit të Shqipërisë, duke i cilësuar si finale dhe shtoi se edhe Kombëtarja ka shanset e veta në këtë grup.

Unë besoj se çdo lojtar që është i grumbulluar ndihet mirë. Është diçka speciale, sidomos kur bëhet fjalë për Kampionatin Evropian. Unë mundohem të jem sa më pranë ekipit. Nëse do luaj ose jo e vendos trajneri. Unë e mbështes Kombëtaren nga jashtë fushe dhe sigurisht nga fusha nëse do të luaj. Dëmtimet që kam pësuar janë pjesë e futbollit. Jam përgatitur mirë, dy ndeshjet miqësore kanë qenë të rëndësishme për mua dhe jam gati 100 përqind”, tha Ajeti.

Ai foli më tutje edhe për rëndqësinë që ka ndeshje e parë, ajo kundër Italisë.

“Ne kemi shpresat tona në çdo ndeshje. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne do të japim maksimumin. Si në ndeshjen e parë dhe në të fundit do të mundohemi të marrim rezultat pozitiv. Për momentin kemi analizuar gjithë ekipin e Italisë, në ditët e ardhshme do të specifikojmë dhe lojtarët individualë. Ne duhet të përgatitemi për çdo sulmues. Gianluca Scamacca e pamë në Europa League që është shumë i rrezikshëm. Duhet të shohim edhe të tjerët se nuk luan vetëm një lojtar. Kampionati Evropian është shumë i veçantë. Çdo lojtar e ka ëndërr të jetë pjesë e një Evropiani. Ne kemi fatin të jemi këtu, të japim maksimumin tonë.

Shanset për kualifikim? “Ne gjithmonë i besojmë vetes dhe ekipit e çdo lojtari të grumbulluar. Duhet të japim maksimumin dhe të shohim pastaj se çdo të ndodh.– Kemi tri finale. Çdo ndeshje do të jetë speciale për ne. Do të jetë e vështirë, por shpresojmë të bëjmë diçka speciale”, tha Ajeti në fund.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat