Spanja shkon me plan të qartë në Gjermani

Futboll

Spanja shkon me plan të qartë në Gjermani

Më: 11 qershor 2024 Në ora: 18:23
Spanja

Spanja, rivalja jonë në grupin B prezantohet në Kampionatin Europian të Gjermanisë pa posterin e katër fuqive që shihen nga të gjithë si kandidatët për titull: Franca, Anglia, Gjermania dhe Portugalia.

Por Spanja nuk ka dyshim se shkon me petkun e një skuadre të madhe.

Trajneri i Irlandës së Veriut, Majkëll O’Nil pas humbjes 5-1 në Majorka pikërisht kundër Spanjës, paralajmëroi Evropën: “Spanja arrin në Euro 2024 me besimin se mund ta fitojë atë dhe është e drejtë që ata ndihen kështu. Unë jam i interesuar të di se si rivalët e tij do të përpiqen të ndalojnë numrin e varianteve që ka skuadra spanjolle”.

Spanja, përtej debateve për stilin dhe formën e lojës, ka arritur të bëhet një ekip që e bën çdo ndeshje një ushtrim konkurrence. Kjo shenjë, e cila vendoset gjithmonë pranë Kroacisë, është shenjë dalluese e skuadrës. Në dekadën e fundit, që nga përfundimi i Kupës së Botës në Brazil në vitin 2014, skuadra spanjolle paraqet një fakt unik mes skuadrave me të cilat do të luftojë në Gjermani për kurorën kontinentale. Që nga “Brazil 2014”, Spanja ka zhvilluar 114 ndeshje dhe ka humbur vetëm 16, sikurse dhe Belgjika, duke qenë dy kombëtaret e madha evropiane në “Euro 2024” me më pak humbje.

Nga këto humbje, Spanja ka vetëm tre me dy gola diferencë: një miqësore në Amsterdam kundër Holandës, lamtumira në “Euro 2016” kundër Italisë dhe disfata në mars 2023 në “Hampden Park” kundër Skocisë. Spanja dhe Franca janë të vetmet nga 9 kombëtaret kryesore në “Euro 2024” që nuk kanë pasuar asnjë humbje me më shumë se dy gola diferencë.

Në rrugëtimin e saj, me gjashtë trajnerë të ndryshëm (Del Boske, Lopetegui, Hierro, Luis Enrike, Robert Moreno dhe Luis De la Fuente), Spanja ka marrë tre gola në tri ndeshje: fitoren në “Euro 2020” e fundit kundër Kroacisë (5-3) dhe dy humbje radhazi me Luis Enriken në krye në vitin 2018: 3-2 me Anglinë dhe Kroacinë.

Spanja është një shembull i cilësisë konkurruese të një skuadre të aftë për të fituar Ligën e Kombeve qershorin e kaluar, duke qenë e dyta në edicionin e kaluar dhe duke arritur në gjysmëfinale në Euro 2021. Një shembull tjetër se sa e vështirë është të mundësh Spanjën është mënyra se si ata janë eliminuar nga turnetë e mëdhenj që nga botërori i Brazilit. Përjashtim bëri “Euro 2016” në Francë, e mbyllur në fazën e 1/8 kundër Italisë me rezultatin e pastër 0-2.

Në Kupën e Botës 2018 në Rusi dhe në “Katar 2022” “La Roja” u eliminua në të dyja rastet në penallti. Ky ishte dënimi edhe ndaj Italisë në “Wembley” në portat e finales së “Euro 2020”. Spanja e De la Fuentes mbërrin në Gjermani me një profil shumë më të gjithanshëm se paraardhësit e saj. Lamtumira e parakohshme në Katar u shënua nga debati për mungesën e një plani alternativ, pasi skuadrës i mungonte vertikaliteti dhe dukej peng i “tiki-taka”- s. “Ne kemi shumë variante në sulm dhe kjo është e rëndësishme, sepse në një turne si evropiani do të ketë me siguri momente në të cilat duhet t’u drejtohemi atyre”, shpjegon Morata.

Kundër Irlandës së Veriut, si kundër Brazilit në mars, Spanja tregoi muskuj nga krahët me Niko Uilliams dhe Lamine Jamal. Por repertori është i gjerë falë lojtarëve që përziejnë mirë lojën nga krahët me atë të depërtimeve nga brenda. Këto janë rastet e Dani Olmos, Ojarzabalit dhe Ahoze Perez. Dhe Ferran Torres, lojtari i krahut me shifrat e një sulmuesi pykë (19 gola në 41 ndeshje me Spanjën). Në këtë numër resursesh, Spanja ka edhe 9-shin e zakonshëm, “gjuetarin” e golave që shërben për të ndryshuar fytyrën e një loje apo situatave të dëshpëruara. Ai është Hoselu.

POZICIONI I PEDRIT – Brenda aftësisë për të luajtur me modele të ndryshme, rikuperimi i Pedrit është një faktor që mbush me optimizëm rezervat e Spanjës. Mesfushori nga ishujt Kanarie, të cilin De la Fuente e ka pasur gjithmonë të qartë se e dëshiron më afër zonës rivale, është një futbollist i aftë të gjenerojë futboll ashtu edhe çrregullim në mbrojtjen rivale. Kjo teori u verifikua në Palma de Majorka me dy golat e parë të Pedrit për Spanjën. Në 19 ndeshjet e tij të mëparshme, të gjitha me Luis Enriken, ai nuk kishte shënuar asnjë gol. Tani, Pedri është më afër zonës rivale për të kërcënuar me gjuajtjen e tij dhe depërtimet nga prapa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat