Spalletti në telashe

Futboll

Spalletti në telashe

Më: 11 qershor 2024 Në ora: 20:13
Spalletti

Italia do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në Eurpianin Gjermani 2024, teksa të kaltrit e Spallettit kanë kryer edhe seancën e parë stërvitore në tokën gjermane, saktësisht në Iserlohn, ku edhe do të qëndrojnë gjatë gjithë kompeticionit.

Seanca ka qenë e hapur dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm italianësh, të cilët në fund kanë bashkëbiseduar edhe me trajnerin Spalletti, me këtë të fundit që nuk ka ngurruar të evidentojë rëndësinë e mbështetjes që vjen nga tribuna.

Por kur kanë mbetur edhe katër ditë nga përballja me Shqipërinë e Sylvinhos, Spalletti nuk mund të qëndrojë plotësisht i qetë, pasi mesfusha është reparti që ia prish jo pak gjumin. Nicolo Barella është prej ditësh i dëmtuar dhe pavarësisht optimizmit të mjekëve, duket e vështirë që t’ia dalë të luajë ndaj kuqezinjve mbrëmjen e të shtunës në Dortmund.

Ndërkohë, në seancën e të martës në Iserlohn, nuk janë stërvitur me skuadrën as Nicolo Fagioli i Juventusit dhe Davide Frattesi i Interit. Të dy kanë shfaqur probleme fizike, pro nëse për Frattesin nuk duket asgjë shqetësuese, krejt ndryshe është situata e Fagiolit.

Ky i fundit vjen pas një pezullimi të gjatë disa mujor dhe nuk ka ritmin e ndeshjeve, ndaj dëmtimi mund t’i ndikojë jo pak në formën fizike dhe gjasat që të luajë ndaj Shqipërisë, janë pakësuar ndjeshëm edhe për të.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat