Kapiteni i kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi, deklaroi se ndihej i “trishtuar”, sepse Diego Armando Maradona nuk kishte mundur ta shijonte Albiceleste duke ngritur Kupën e Botës në Katar 2022.
“Mungesa e tij më dha shumë trishtim. Sa keq që Diego nuk mund ta përjetojë atë që po jetojmë pas Botërorit të Katarit. E di mirë se çfarë ndjenje kishte ai për kombëtaren argjentinase”, – tha lojtari i Inter Miami në një intervistë për rrjetin ESPN.
Në lidhje me marrëdhënien e tij me “Pelusa”, ylli nga Rosario deklaroi se përtej asaj që pretendonin disa, të dy kishin shumë vlerësim për njëri-tjetrin: “Maradona ishte gjithmonë një idhull futbolli në mbarë botën. Ai më donte shumë, edhe unë e doja atë, pavarësisht se shumë gjëra u thanë. Vetëm ne të dy e dinim se çfarë ndjenim për njëri-tjetrin”.
Kapiteni i kombëtares argjentinase kujton me dashuri përvojën në Katar, e cila solli yllin e tretë në fanellën bardhekaltër. Ai triumf gjithashtu mobilizoi miliona njerëz për të festuar titullin e shumëpritur në Obeliskun e famshëm të Buenos Aires.
“Ne jetuam një Botëror së bashku, – kujton Messi. – Përtej rezultatit, ishte një eksperiencë e paharrueshme”.
Tetë herë fituesi i “Topit të Artë” tani përballet me sfidën e rivlerësimit të Kupës së Amerikës, të fituar më 2021 në Brazil, një turne që fillon më 20 qershor në SHBA. Kombëtarja e Argjentinës e fillon si favorite kryesor, pas një paraqitjeje të shkëlqyer në kualifikueset e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026.