Një ditë nga takimi hapës i Kampionatit Europian Xhamal Musiala dhe Florian Virc kanë dalë në zonën e prononcimeve, duke folur rreth temave të ndryshme. Talenti i Bajernit e ka ndalur fokusin te rritja e tij, pas eksperiencës madhore në Botërorin “Katar 2022”. Musiala nuk ka kursyer as “kërcënimet” kundrejt rivalëve.
MESFUSHORI – “Që nga Kupa e Botës e deri tani jam zhvilluar në shumë aspekte si futbollist profesionist. E ndjej veten shumë herë më të pjekur.
Çdo etapë më ka ndihmuar për të arritur të japë më të mirën time. Siguria në veprimet me topin është arma ime më e fortë. Ndonëse jam ende i ri, vetëbesimi nuk më mungon. E kam ndjerë veten shumë mirë në takimet e fundit. Pas atyre muajve të vështira, ka ndryshuar thuajse totalisht fryma në ekip.
Kemi filluar të qeshim dhe ndajmë momente gazmore. Trajneri Nagelsman më ka dhënë liri mjaftueshëm për të qenë në zonën e komfortit. Ai më ka mbështetur që nga dita e parë dhe për këtë i jam mirënjohës. Në lidhje me duelin kundër Skocisë, mendoj se na mjafton të fokusohemi te vetja”, përfundoi Musiala. Nga mediat gjermane theksohet se Xhamal dhe Virc do të jenë “artileria” kryesore e fazës ofensive te “pancerave”.