Mikpritësit gjermanë ngrenë siparin kundër Skocisë

Futboll

Mikpritësit gjermanë ngrenë siparin kundër Skocisë

Më: 14 qershor 2024 Në ora: 15:58
Foto ilustrim

Pritja e gjatë tani ka marrë fund. “Euro 2024” (14 qershor-14 korrik) më në fund fillon sonte, në orën 21:00 në “Allianz Arena” të Mynihut me ndeshjen mes mikpritësve të Gjermanisë dhe Skocisë. Edicioni në tokën gjermane do të jetë i 17-ti në histori.

Pas Europianit shëtitës më 2020 (më pas u zhvendos në vitin 2021 për shkak të pandemisë Covid-19) do t’i rikthehemi normalitetit, zhvillimit të tij në një shtet të vetëm. Italia është kampionia në fuqi, Gjermania (së bashku me Spanjën) është kombi që e ka fituar më shumë (3 herë) këtë kompeticion.

Pavarësisht se është vendi pritës, Gjermania nuk shihet ndër favoritët. Është faji i Botërorit të fundit katastrofik, me eliminimin në raundin e parë dhe Europianin më 2021, që përfundoi në 1/8 finale kundër Anglisë. Me këtë rast, Toni Kroos bëri rikthimin në kombëtare dhe do t’i japë lamtumirën futbollit në fund të eventit.

Nagelsmann ka vendosur të fokusohet në një përzierje eksperience (Kroos, Gundogan, Neuer, Muller, Rudiger dhe Kimmich) dhe lojtarëve të rinj premtues (Musiala, Schlotterbeck dhe Wirtz).

Për Skocinë, kjo është pjesëmarrja e katërt në Europian, pas atyre të viteve 1992, 1996 dhe 2020. Skocezët do të përpiqen “ta shesin shtrenjtë lëkurën”, edhe pse nuk e kanë kaluar asnjëherë fazën e grupeve.

Pasi humbi Bolognese Ferguson për shkak të lëndimit, elementët më të rëndësishëm mbeten Robertson (mbrojtësi i majtë i Liverpool), McTominay (mesfushori i Manchester United), Billy Gilmour (playmaker-i i Brighton) dhe qendërmbrojtësi i Real Sociedad, Kieran Tierney.

Nga edicioni i parë në vitin 1960 e deri më sot, 10 ekipe kombëtare kanë fituar trofeun “Henri Delaunay Cup”, i emëruar kështu për nder të sekretarit të parë të përgjithshëm të UEFA-s dhe promovuesit të edicionit të parë të kompeticionit.

Lista e nderit tregon për nga tre triumfe të Gjermanisë (dy si Gjermania Perëndimore, 1972 dhe 1980, dhe një pas ribashkimit, më 1996) dhe Spanjës (1964, 2008, 2012); nga dy trofe për Italinë (1968, 2021) dhe Francën (1984, 2000).

Nga një herë kanë triumfuar në Kampionatin Europian këto shtete: Bashkimi Sovjetik (1960), Çekosllovakia (1976), Holanda (1988), Danimarka (1992), Greqia (2004) dhe Portugalia (2016).

Formacionet e mundshme:

Gjermania (4-2-3-1): Neuer; Kimmich, Rudiger, Schlotterbeck, Raum; Andrich, Kroos, Gundogan; Musiala, Wirtz; Havertz. Trajner: Nagelsmann.

Skocia (3-4-2-1): Gunn; Porteous, Hendry, Tierney; Ralston, McGregor, Gilmour, Robertson; McGinn, McTominay; Adams. Trajner: Clarke.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat