Sot është përmbyllur pilotprojekti i FFK-së për futbollin e vajzave U13 dhe U15, i cili për synim kishte përgatitjen e klubeve për krijimin e ligave të këtyre grupmoshave.
Pas turneut në formë lige në tri grupe, sot në Kampin Nacional në Hajvali u zhvilluan ndeshja finale dhe ajo për vendin e tretë. Në ndeshjen finale u ballafaquan 2 Korriku dhe Dukagjini.
Skuadra nga Klina u tregua dukshëm më e mirë, duke triumfuar me rezultat bindës 9:4, duke u kurorëzuar me titullin e kampionit, të cilin e ndau shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka.
Ndërkohë, në ndeshjen për vendin e tretë, ndërmjet Llapit dhe Mitrovicës, u zhvillua një lojë e barabartë dhe si rrjedhojë ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras, 2:2. Kësisoj fituesi u përcaktua vetëm pas gjuajtjes së penalltive, ku më efikase u treguan futbollistet e Mitrovicës.