Real Madridi i është vënë pas mbrojtësit të majtë të Bayern Munich, Alphonso Davies tash e një kohë të gjatë.
Duket se Real Madridi do ta ndjekë atë deri në fund, por kjo nuk është dëshira e Carlo Ancelottit.
Është thënë se dera është e hapur për Ferland Mendy të largohet, me Real Madridin dhe lojtarin që po presin se çfarë do të ndodhë me Davies këtë verë.
Megjithatë, mediumi spanjoll “Relevo” raporton se nëse do të ishte në dorën e Ancelottit, ai më para do të rinovonte me Mendyn sesa të nënshkruante me Davies.
Mbrojtësi francez është duke pritur lajme nga klubi spanjoll, por Ancelotti tashmë i ka bërë me dije atij se do të jetë pjesë e planeve të skuadrës së tij për sezonin e ardhshëm.
Davies është një lojtar me kualitet të lartë, por Ancelotti më shumë e pëlqen balancimin e ekipit, me skuadrën e tij që sa herë e ka fituar ligën viteve të fundit, ka pasur mbrojtjen më të mirë.
Disa mund të debatojnë, duke thënë se Davies është më i ngritur teknikisht, por Mendy duket të jetë më i mirë në defanzivë.
Real Madridi deri më tani këtë afat kalimtar veror ka zyrtarizuar Kylian Mbappen, derisa ka shprehur interesim edhe për Leny Yoron e Lille.