Pas Lautaros, një tjetër Martinez për Interin.
Natyrisht, duhet pritur edhe ca për të parë tymin e bardhë, por klubi zikaltër, pasi ka nisur negociatat ditët e fundit, është gati të përshpejtojë për ta bërë të vetin portierin në pronësi të Genoas.
Ai është i zgjedhuri për të zënë vendin e Emil Auderos në skuadrën që ka në dispozicion Simone Inzaghi.
Klubi zikaltër është në kërkim të një portieri që do të marrë rolin e zëvendësit të Sommer dhe që do të jetë në gjendje të garantojë vazhdimësinë e portës kur të jetë nevoja.
Ndër emrat që u përmendën, spikatën ata të Bentos, Okoye, Jorgensen, Lunin dhe Mandas, por në fund zgjedhja ishte Josep Martinez.
Sipas asaj që raportoi Fabrizio Romano, negociatat janë në fazë të avancuar. Interi tashmë ka arritur marrëveshje me Josep Martinez, ndërsa Genoas i është paraqitur një ofertë prej 10 milionë eurosh plus një lojtar.
Për momentin, të dy klubet kanë folur për katër profile në veçanti: Gaetano Oristanio (sulmues 21-vjeçar i rikthyer nga një sezon i huazuar te Cagliari), Martin Satriano (i rikthyer nga huazimi te Bresti), Francesco Pio Esposito (i kthyer nga huazimi te Spezia) dhe Mattia Zanotti (mbrojtësi i djathtë, i cili do të kthehet në Itali pas një eksperience në St. Gallen).