​Sylvinho: Nder i madh të jem me Shqipërinë në Euro 2024, do të jetë vështirë kundër Italisë

Futboll

​Sylvinho: Nder i madh të jem me Shqipërinë në Euro 2024, do të jetë vështirë kundër Italisë

Më: 14 qershor 2024 Në ora: 20:04
Sylvinho

Pas kapitenit dhe mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, para mediave doli edhe trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, në prag të ndeshjes së nesërme kundër Italisë në kuadër të Kampionatit Evropian Euro 2024.

Sylvinho gjatë konferencës tregoi se çka nënkupton për të pjesëmarrja në Evropian me Shqipërinë, ndërsa për ndeshjen e nesërme tha se do të jetë shumë e vështirë.

Sylvinho: Nder i madh të jem me Shqipërinë në Euro 2024

"Me të vërtetë është një nder i madh që të jem me Shqipërinë në Euro 2024... Ne jemi në një grup shumë të vështirë, ne jemi shumë të vetëdijshëm për atë se çfarë lloj kompeticioni i madh është, dhe se sa e vështirë do të jetë kundër oponentëve tanë, por do të shkojmë aty për të garuar, do të shkojmë aty për të luftuar për çdo pikë dhe që të kemi një kampionat të mrekullueshëm evropian. Përpos kësaj, e dimë që nuk do të jetë e lehtë, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër Italisë", tha Sylvinho.

Sylvinho foli edhe për barrën që Shqipëria dhe ai e kanë mbi supe në Euro 2024.

Sylvinho: Është një përgjegjësi shumë e madhe për ne që të përfaqësojmë shqiptarët

"Kemi aq shumë shqiptarë gjithandej nëpër botë. E dimë që ka shumë shqiptarë në Gjermani dhe në Itali, në Zvicër, gjithandej. Është një përgjegjësi shumë e madhe për ne që të përfaqësojmë këta njerëz, këta njerëz të mrekullueshëm që jetojnë gjithandej, kështu që do të jetë edhe më mirë në një stadium aq shumë të mbushur, pothuajse i tërë stadiumi në masën më të madhe do të jetë me ngjyra të kuqe dhe besoj që kjo do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe për ne", tha Sylvinho.

Më tej, trajneri brazilian e cilësoi Italinë një “top skuadër”, por që Shqipëria do të bëjë gjithçka për të nxjerrë pikë.

Sylvinho: Italia është një top skuadër, do të mundohemi të nxjerrim pikë

"Italia është njëra prej top skuadrave, dhe pa pasur diçka tjetër për të thënë, Italia është një top skuadër. Ajo kur del në fushë do të shkojë aty për ta fituar të gjithë kompeticionin, ne e dimë këtë, por ne do të dalim gjithashtu për të bërë më të shumtën që mundemi dhe për të nxjerrë pikë", tha Sylvinho.

Për fund, Sylvinho tha se kuqezinjtë janë të përgatitur për ndeshjen e nesërme kundër Italisë, ndërsa tha se ekipi ka studiuar edhe kundërshtarët e tjerë, Spanjën dhe Kroacinë.

Sylvinho: Për Italinë jemi përgatitur

"Ne i kemi studiuar që të tre kundërshtarët tanë gjatë javëve të fundit dhe natyrisht ne jemi përqendruar shumë në Italinë gjithashtu. Flasim, le të themi javën e fundit, apo pak më tepër kemi punuar në gjashtë apo tetë ditë që është një cikël shumë i rëndësishëm në botën e futbollit për të krijuar dhe strategji. Natyrisht kemi pasur vetëm tre apo katër ditë për të punuar për ndeshjen e dytë, e njëjta gjë edhe për ndeshjen e tretë. Natyrisht ndeshja e parë është ajo për të cilën do të përgatitemi më mirë, pasi kemi më tepër kohë. Le të themi për Italinë jemi përgatitur, kemi menduar, për një javë dhe natyrisht dëshira jonë është që të dalim aty dhe të luajmë siç duhet dhe të luajmë mirë”, tha Sylvinho.

Shqipëria e nis nesër aventurën në Kampionatin Evropian Euro 2024, ku me fillim nga ora 21:00 do të përballet me Italinë në stadiumin “Signal Iduna Park” të Borussia Dortmundit.

Shqipëria gjendet në Grupin B të Euro 2024 së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat