Shqipëria megjithëse e nisi me eufori dhe me një gol të shpejtë sfidën kundër Italisë në “Euro 2024” nuk arriti ta administrojë siç duhet pasi kundërshtarët u kundërpërgjigjen me dy gola duke ngrirë buzëqeshjen e kuqezinjve.
Po çfarë shkoi keq me kombëtaren e Shqipërisë? Menaxheri i futbollit, Dritan Gjyrezi, në “Ora e Fundit”, tha se futbollistët e Kombëtares Shqiptare nuk ishin në nivelin e duhur në aspektin fizik dhe teknik.
“Përveç golit, që ishte një dhuratë në minutat e parë, shumë gjëra nuk shkuan me kombëtaren tonë. Megjithëse humbëm, por me nivelin që ka Italia me Shqipërinë, mendoj se morën një rezultat të mirë.
Nuk pashë formë te lojtarët tanë. Ana fizike ishte më e dobëta në radhët tona. Tërheqja ishte e papritshme”, tha ai.
Gazetari i ABC News, Bledar Kuka, u shpreh se kombëtarja e humbi rezistencën fizike dhe kjo ndikoi në rezultat.
“Trajneri me këtë ndeshje ka nxjerrë përfundimet e veta. Ne pamë se çfarë do të thotë të luash kundër kampionëve në fuqi të Evropës. Ka gjerë për të rregulluar, ndërsa kombëtarja jonë nuk është në nivelin e duhur, sepse ra gjendja fizike. Në fund fare kemi dalë mirë”, tha ai.
Ish-futbollisti i kombëtares, Altin Raklli, nga Dortumundi, u shpreh se pas shënimit të golit, Kombëtarja e Shqipërisë nuk duhej të tërhiqej në gjysmëfushën tonë.
“Bëmë një gabim shumë të madh, sepse u tërhoqëm në gjysmëfushën tonë. Ky ishte gabimi i parë, duhet ta mbanin kundërshtarin larg. Humbën shumë dyluftimet”, tha ai.
Sipas Rrakllit, Kroacia është ekipi më i dobët se Italia dhe Spanja dhe Shqipëria duhet të punojë fort për ta fituar sfidën e 19 qershorit.
“Unë besoj se nga këto tre skuadra, Kroacia është skuadra më e dobët, ndërsa Spanja është tjetër nivel. Kroacinë e shoh të mundshme, dhe ne duhet t’i hyjmë asaj ndeshjeje për të fituar”, tha ai.