Munishi habit: Të mundim Kroacinë dhe e shihni se çfarë i bëjmë Spanjës

Futboll

Munishi habit: Të mundim Kroacinë dhe e shihni se çfarë i bëjmë Spanjës

Më: 16 qershor 2024 Në ora: 21:07
Ismet Munishi

Shqipëria nuk arriti dot që të dilte me pikë në mbrëmjen e djeshme, teksa humbi me shifrat 1:2 ndaj Italisë.

Trajneri i njohur Ismet Munishi. Munishi foli për gjithçka në analizën e këtij takimi, teksa nuk mund të anashkalohej dhe momenti i Elseid Hysajt që hoqi kokën duke lejuar topin në rrjetë në momentin kur Barella na dha goditjen përfundimtare. 

“Për fatin e keq dje Italia ka bërë ndeshjen më të mirë të 3 viteve të fundit. Gjithashtu kanë një trajner si Spaleti, që është kulmi i trajnerëve botëror, për mua më i miri në këtë EURO24.

Nuk duhet të kritikojmë lojtarët tanë, duhet t’i shtrijmë dorën Spaletit, ai na mundi.

Ky është futboll, kundërshtari është më i mirë se ty dhe duhet ta duartrokasësh.

Kur Silvinjo të bëj video-analizën, do të kuptoj se Italia ka luajtur shumë mirë, se nuk jemi ne fajtor. Vetëm ne shqiptarët jemi kështu, për tre vite themi Silvinjo është trajneri më i mirë dhe në një ditë të shtune apo të diele, del trajneri më i dobët, duam të gjejmë kokën e turkut me patjetër.

Për mua ne nuk kemi dalë ende nga loja, 4 pikë janë shumë të mundshme.

Ndaj Kroacisë për mua është 50 me 50, do të jetë më e lehtë se ndaj Italisë, nuk do dalim si të humbur kundër Kroacisë. Unë mendoj se Shqipëria mund të dalë edhe me 6 pikë nga ky grup, të fitojmë kundër Kroacisë dhe pastaj e shihni se çfarë do t’i bëjmë Spanjës.

Po e kritikojmë shumë Hysajn.

Unë shikoj që po kritikohen shumë djemtë tanë, është e padrejtë.

Ne luajtëm në të njëjtin nivel me Italinë, ishim në lojë deri në fund dhe mund të barazonim rezultatin.

Ato janë momente, nuk e gjykoj Hysajn, gjithçka ndodh shumë shpejt.

Të them të drejtën të isha unë në vendin e Hysajt, unë do e kisha kafshuar topin me dhëmbë, jo që kisha ulur kokën.

E dinë ata që kanë luajtur me mua, kam luajtur me dorë të thyer, me këmbën e dëmtuar, por ne jemi futbolli i kohës së vjetër.

Por nuk e gjykoj Hysajn se cdo gjë ndodhi shpejt dhe ai nuk e dinte nëse topi po shkonte në portë apo po dilte jashtë. Por Hysaj ka bërë shumë për Kombëtaren, mendoj se këta lojtarë po gjykohen pak si tepër””, tha Munishi..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat