Federata e Futbollit të Serbisë (FFS) ka kërkuar nga shërbimi mediatik i Bashkimit Evropian të Futbollit (UEFA) dënimin dhe heqjen e akreditimit të gazetarit kosovar sepse i “provokoi tifozët serbë”.
Gazetari Arlind Sadiku, në një transmetim të drejtpërdrejtë para ndeshjes së mbrëmshme mes Anglisë dhe Serbisë, ka bërë me duar shqiponjën dykrenare para tifozëve serbë.
Zëdhënësi i FFS-së, Millan Vukoviq i dërgoi një notë proteste UEFA-s duke kërkuar që gazetari të dënohet, si dhe kompania mediatike që ai përfaqëson.
“Pas ndeshjes me Anglinë i kam ndjekur raportet dhe kam hasur në këtë. Kërkoj reagim të menjëhershëm nga ana juaj, që të respektohen rregullat për pezullimin e akreditimit të “të ashtuquajturit” gazetar. Ai ofendoi Serbinë, tifozët serbë, poshtëroi përfaqësuesit e UEFA-s dhe mediave. E vetmja gjë që është e drejtë që ky njeri dhe mediat e tij duhet të dënohen ashpër. Shpresoj për përgjigjen dhe reagimin e juaj sa më parë. Mund ta shikoni videon me veprimin e aktit të turpshëm dhe joprofesional në terren nga një gazetar, nëse mund ta quani kështu, i cili është e akredituar nga UEFA. Provokimi në nivel kombëtar është aq i qartë sa nuk kam pse të shpjegoj pse po e dërgoj këtë email”, ka shkruar Millan Vukoviq, duke “harruar” banerin në të cilin figuron harta e Kosovës e mbuluar me flamurin e Serbisë, të cilin e kishit vendosur tifozët serbë në mes të stadiumit.