Pikë e madhe për kuqezinjtë

Shqipëria ka barazuar në fund me rezultat 2:2 ndaj Kroacisë, në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit B të Kampionatit Botëror.
Atmosferë drithëruese në stadiumin në Hamburg, një ndeshje e luftuar, një Shqipëri përplot shkëlqim në 45 minutat e parë por edhe në çastet e fundit.
Klaus Gjasula ka barazuar rezultatin në minutën e 90+5.
Kroacia - Shqipëria 2:2
Stadiumi "Volksparkstadion" në Hamburg.
Gjyqtar: F. Letexier (Franca).
Shikues: 49.000.
Shënues: Kramariç (74'), Gjasula (76' - autogol) - Laçi (11'), Gjasula (90+5’).
Kartona të verdhë: Hysaj, Daku.
Kroacia: Livakoviq, Juranoviq, J. Shutalo, Gvardiol, Perishiq (Sosa 84'), Brozoviq (Pashaliq 46'), Modriç, Kovaçiq, Majer (Suçiç 46'), Kramariç (Baturina 84') dhe B. Petkoviq (Budimir 69').
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj, Ramadani (Hoxha 85'), Asllani, Asani (Seferi 64'), Bajrami, Laçi (Gjasula 72') dhe Manaj (Daku 85').
Në minutën e 11-të, atmosfera shpërthen si vullkan në stadium, Qazim Laçi si mjeshtër, shënon me kokë pas krosimit të Jasir Asanit. 0:1.
Në minutën e 14-të, Bajrami me lëvizje dinake gati shënoi por për fat të keq topi shkoi jashtë shtyllës së djathtë.
Në minutën e 29-të, Hysaj i pafat, goditja e tij nga 15-16 metra shkoi mbi portën e kroatëve.
Kristjan Asllani në pozitë ideale nuk shënoi në minutën e 31-të. Portieri Livakoviq shpëtoi gol të sigurt.
Në fund të pjesës së parë, Rey Manaj lëshoi rast ideal, goditja e tij u ndal nga portieri Livakoviq.
Përderisa Shqipëria tregoi lojë të madhe në pjesën e parë, e dyta i takoi kroatëve.
Në minutën e 50-të, Thomas Strakosha reagoi si hero, duke ia mohuar golin zëvendësuesit Suçiç.
Në minutën e 58-të, Modriç harkoi nga korneri, Shutalo nga afërsia për fat të mirë gjuajti jashtë portës.
Në minutën e 67-të, Nedim Bajrami këmbëshpejt, futet në 16-sh por goditja e tij shkoi jashtë portës së majtë të kroatëve.
Dy gola për tre minuta.
Në minutën e 74-të, mbrojtja në krye me Hysajn nuk reaguan si duhet dhe Andrej Kramariç nga rreth 10-11 metra shënoi për 1:1.
Në minutën e 76-të, një veprim i shpejt i kroatëve, Klaus Gjasula shënoi autogol, 2:1.
Në minutën e 90+3, Daku dështoi nga një pozitë e qind për qindtë.
Gjasula në minutën e 90+5, ka barazuar rezultatin 2:2.
Spanja kryeson me 3 pikë, pasojnë Italia 3, Shqipëria 1 dhe Kroacia 1 pikë.
Më 24 qershor, Shqipëria ndeshet me Spanjën (21.00) dhe Kroacia - Italia (21.00).