Bisedimet mes Milanit dhe menaxherit të Joshua Zirkzee nuk janë zhbllokuar.
Siç dihet, klubi kuqezi është në kërkim të numrit 9 që mund të marrë trashëgiminë e Olivier Giroud, por çështja kryesore e negociatave mes palëve është gjithmonë ajo për komisionet e kërkuara nga Kia Joorabchian për transferimin, 15 milionë euro, shumë të cilën kuqezinjtë shpresojnë ta ulin.
Aktualisht palët mbeten të vendosura në pozicionet e tyre, kështu që klube të tjera si Manchester United, drejtuesit e të cilit kanë kontaktuar tashmë me përfaqësuesit e sulmuesit të Bolonjës për të kërkuar informacion, mund të përfshihen në garë.
Në Angli dhe Gjermani janë të sigurt, “Djajtë e Kuq” janë në kërkim të një sulmuesi të ri për ta bashkuar me ish-in e Atalantës, Hojlund, dhe ndër profilet e ndjekura është edhe ai i holandezit, ndaj interesimi do të ishte shumë real.
Nëse klubi anglez do të plotësonte kërkesat e komisionit të Kia Joorabchian, kuqezinjtë do të dorëzoheshin dhe për t’i komplikuar gjërat edhe më shumë, është edhe thirrja në minutën e fundit të Zirkzee në Kampionatin Evropian, sepse nëse ai do të shpërthejë në një fazë kaq të rëndësishme të eventit mund të tërhiqte vëmendjen edhe të top-klubeve të tjera.
Në prapavijë është edhe Bologna, e cila ende nuk i ka humbur plotësisht shpresat për të mbajtur Zirkzee edhe për një vit dhe është gati t’i ofrojë atij një kontratë të re me një rritje rroge dhe një klauzolë të rishikuar.
Për momentin, Milani mbetet favorit për të marrë sulmuesin kuqeblu, por ndërkohë “Djalli” po shikon përreth dhe po studion alternativat. Emri që rikthehet në modë është ai i Dovbyk, protagonist i një sezoni të mrekullueshëm me Gironën dhe gjithashtu në Euro 2024 me Ukrainën, me të cilin tashmë ka pasur kontakte javën e kaluar dhe mund të ketë një kontakt të ri në ditët në vijim.