Alexis Sanchez është pranë rikthimit tek Udinese, skuadër ku “shpërtheu” duke u bërë i njohur në futbollin europian.
35-vjeçari nga Kili po e mendon seriozisht veshjen e fanellës bardhezi pas plot 13 vitesh.
Sulmuesi latin ka dalë lojtar i lirë si pasojë e mbylljes së bashkëpunimit me Interin. Ndërkohë që e ardhmja e tij pritet të vijojë në Serie A.
Dhe në skenë ka dalë Udinese, klub ku Sanchez shkëlqeu në vitet 2008-2011, teksa formonte një dyshe spektakolare në sulm me Di Natalen.
Paraqitjet e mrekullueshme tek ekipi italia i mundësuan më pas transferimin e bujshëm te Barcelona.
Sulmuesi ka një përvojë të madhe, pasi ka luajtur edhe me klube si Arsenali, Manchester Utd e Marseille.
Ndërkohë që numëron 163 ndeshje dhe 50 gola me kombëtaren e Kilit, me të cilën po garon në Kupën e Amerikës.
Tek Udinese janë gati ta presin me krahë hapur, por lojtari duhet të ulë më parë pagën sezonale për të nisur aventurën e dytë në Friuli.