Granit Xhaka dhe Ilkay Gundogan - hyp se të vrava, zhdryp se të vrava!

Futboll

Granit Xhaka dhe Ilkay Gundogan - hyp se të vrava, zhdryp se të vrava!

Nga: Bahri Cani Më: 23 qershor 2024 Në ora: 10:12
Granit Xhaka

Sonte kur të ndeshen Gjermania dhe Zvicra në krye të kolonave do të kemi një pamje të jashtëzakonshme. Granit Xhaka drejton ekipin e Zvicrës si kapiten, ndërsa Ilkay Gundogan ate të Gjermanisë. Shqiptari dhe turku me origjinë mbajnë simbolet e dy vendeve ku jetojnë në duar dhe i shkëmbejnë para ndeshjes. Dy lojtarë me origjinë të huaj drejtojnë pra dy ekipe të jashtëzakonshme, që jo tepër larg ka qenë e paparamendueshme. Por bota ka ndryshuar, bota është globalizuar dhe njerëzit për fat të mirë lëvizin lirshëm, mund të jetojnë, punojnë dhe realizojnë ëndërrat e tyre atje ku mendojnë se është më së miri. Apo atje ku i ka hedhur fati i prindërve. Graniti dhe Ilkay janë lojtarë të kalibrit botërorë (duke luajtur për ekipet si Schalke apo Gladbach, Manchester City apo Arsenal, Barcelona apo Leverkusen). Por më e mira është: Ata janë të pranuar dhe të vlerësuar në ekipet e tyre në Zvicër dhe Gjermani. Mirë, gjithmonë edhe në këto vende do të ketë të tillë që i kundërshtojnë, në veçanti në momentet kur nuk tregojnë ndonjë lojë të mirë. Apo kur nuk këndojnë himnin e vendit që përfaqësojnë.

E nga disa me siguri që kontestohen thjesht pse kanë ngjyrë apo emër të ndryshëm nga ata të vendeve ku jetojnë. Por në përgjithësi ata janë lojtarë të vlerësuar dhe të pranuar. E sa i përket vendeve të tyre të origjinës: ky është një debat që ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në rend dite. Por unë i kuptoj mirë se në çfarë pozite janë këta djelmosha të cilëve zemra u thotë diçka ndërsa mendja diçka tjetër.

Vendi ku jetojnë tani u ka ofruar të gjitha, ndërsa vendi i origjinës mbetet në zemër. E shikoj Adrianin tim - prindërit me origjinë nga Kosova, një pjesë e origjinës nga Malësia, i lindur e jeton në Gjermani, studion master në gjuhën angele, ndërsa në prag të Kampionatit ka blerë flamurin dhe trikon shqiptare dhe del me shokët dhe brohoret për Shqipërinë. Hajde biri në fije ti tashti... Por të mos e personalizoj: Graniti dhe Ilkay është dashur të vendosin në një moment, e vendimet e tilla janë gjithmonë "kontestuese" nga njerëzit në vendin e origjinës apo nga njerëzit në vendin ku jetojnë. Gjithmonë janë në shënjestër të kritikave - sipas asaj: hyp se të vrava, zhdryp se të vrava. Por unë sot e ndjej veten mirë që këto dy kombëtare kaq të rëndësishme përfaqëson nga një Granit dhe një Ilkay!

Po ju, çfarë mendoni?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat