Zëvendësuesi i Hummels, Dortmundi zgjedh mbrojtësin e Gjermanisë

Futboll

Zëvendësuesi i Hummels, Dortmundi zgjedh mbrojtësin e Gjermanisë

Më: 23 qershor 2024 Në ora: 12:03
Hummels

Borussia Dortmund nuk ka humbur kohë për të gjetur zëvendësuesin e Mats Hummels, për të cilin nuk pati rinovim.

Edhe pse zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm me verdhezinjtë gjermanë.

35-vjeçari, emri i të cilit u lidh me Milanin dhe Romën, pritet të vijojë karrierën në La Liga me Mallorcan, ekip ku luan edhe dardani Vedat Muriqi.

Ndërkohë, nënkampionët e Europës kanë zgjedhur Waldemar Anton si pasuesin e ish-mbrojtësit të njohur të kombëtares gjermane.

27-vjeçari Anton ka pranuar ofertën e Dortmundit, që për të siguruar kartonin e tij do të paguajë rreth 23 mln euro në arkat e Stuttgartit.

Anton ishte pjesë e Stuttgartit në katër sezonet e fundit, madje mban shiritin e kapitenit tek ekipi me të cilin edicionin e fundit siguroi kualifikimin në Champions League.

Kompeticion që lojtari gjerman i lindur në Uzbekistan, i cili debutoi me kombëtaren e drejtuar nga Nagelsmann në mars, do e luajë me fanellën e Dortmundit.

Ndërkohë, mbrojtësi potent është pjesë e listës së Gjermanisë në Euro 2024. Pas përfundimit të turneut prestigjioz do të vijë firma dhe prezantimi në “Signal Iduna Park”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat