Bicaj: Burreli do të bazohet te tregu vendës

Futboll

Bicaj: Burreli do të bazohet te tregu vendës

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 15:44
Ditmar Bicaj

Burreli vijon me pushimet, pasi gjatë javës së shkuar nuk u bë i mundur prezantimi i trajnerit të ri, Ditmar Bicaj.

Sipas drejtuesve të sportit në këtë qytet, impenjimi i drejtuesve të bashkisë ka shtyrë prezantimin e tij.

Ndërkohë, drejtuesit janë treguar aktivë në merkato, teksa kanë shtuar dukshëm kontaktet me futbollistë të ndryshëm.

Këtë gjë e konfirmoi për “Panorama Sport” edhe trajneri Bicaj. “Këtë herë merkaton do ta përqendrojmë më shumë te futbollistët vendës, të cilët do të jenë baza e skuadrës për edicionin e ri. Kemi pasur kontakte të vazhdueshme, por emrat do të bëhen të ditur në një moment të dytë.

Përfshirja e futbollistëve të huaj në skuadër do të jetë me pikatore. Në ekip do të përshihen ata futbollistë që bëjnë diferencën”, tha për gazetën trajneri Ditmar Bicaj, i cili mbetet në pritje të zyrtarizimit.

Në programin e hartuar për edicionin e ri, trajneri pohoi se skuadra fazën përgatitore do ta zhvillojë në Burrel. “Rreth datës 15 korrik do të nisim përgatitjet. Programi stërvitor do të shoqërohet me zhvillimin e dy seanca në ditë.

Përgatitjet e fazës intensive stërvitore do të shoqërohet me zhvillimin e disa ndeshjeve të kontrollit”, u shpreh në fund trajneri Ditmar Bicaj.

Gjatë këtyre ditëve, nga skuadra matjane janë larguar disa futbollistë, ndër më të spikaturit, Kurbneshi dhe Kastrati. Ndërkohë, një pjesë e lojtarëve presin të ulen me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat