Sulmuesi kosovar, Ardit Tahiri, nga dje nuk është më pjesë e Dinamos. Futbollisti 21-vjeçar ka mbyllur zyrtarisht aventurën blu, duke dalë lojtar i lirë pas tërheqjes së dokumentacionit përkatës nga klubi kryeqytetas.
Tahiri, i ardhur te 18 herë kampionët e Shqipërisë në merkaton e dimrit, ishte nën kontratë me Dinamon, por palët kanë arritur një marrëveshje për mbylljen e bashkëpunimit. Te blutë sulmuesi u preferua pak gjatë atyre muajve që ishte pjesë e skuadrës dhe mungesa e hapësirës duket se është arsyeja e largimit të tij. Lojtari i ardhur nga Drita shënoi një gol në barazimin 1-1 me Kukësin, ndërsa javët e fundit të kampionatit pësoi një dëmtim.
Vetëm në dy ndeshje ai zbriti në fushë nga minuta e parë dhe u aktivizua në total në 7 ndeshje. Me shumë mundësi, e ardhmja e sulmuesit të Kosovës U-21 do të jetë në futbollin kosovar.
SULMI – Nga Dinamo janë larguar më parë edhe sulmuesit e krahut Bamba, Bardhi dhe Tusha, ndërkohë që janë afruar Mandela dhe Qardaku dhe kanë qëndruar Kaçorri, Zabërgja dhe Vila.
Sipas asaj që kanë deklaruar drejtuesit e klubit blu, për sulmin do të ketë edhe një përforcim me peshë, që mund të jetë surpriza e madhe e merkatos së kësaj vere. Gjasat janë që ky lojtar të vijë nga jashtë Shqipërisë. Po ashtu, po shihet edhe për një sulmues tjetër krahu, që reparti i avancuar të jetë i kompletuar për sezonin e ri.
Deri tani kryeqytetasit kanë bërë katër përforcime, që janë mesfushori Bruno Dita, sulmuesi Mandela, portieri Aldo Teqja dhe sulmuesi Eridon Qardaku.