Kombëtarja serbe e futbollit u eliminua mbrëmë nga kampionati evropian pas barazimit me Danimarkën (0:0).
Është një tjetër rezultat i keq në serinë e dështimeve të Serbisë në ngjarjet madhore të futbollit, dhe siç ndodh zakonisht me ta, lojtarët drejtojnë gishtin nga njëri-tjetri, tek përzgjedhësit, shkruajnë sot mediat kroate.
Kryeredaktori i tabloidit Informer, Dragan J. Vuçiqeviq, pas eliminimit nga Evropiani, në pjesëmarrjen e tij në emisionin “Prve info” ka treguar se pse presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka qenë në humor të keq kur e ka shoqëruar kombëtaren serbe në fluturimin me aeroplan për në Gjermani.
“Kushdo që e pa, vuri re se presidenti ishte në humor të keq. A e dini pse? Në aeroplan kishte një flamur kroat, ata e paraqitën presidentin me një flamur kroat. Një turp i madh dhe nuk doja të flisja për këtë deri më sot. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë, pres reagimin e organeve kompetente. Unë e njoh presidentin, nuk po reagon… Pres që të flasë për të gjitha këto. Flamuri kroat ishte në aeroplanin që shoqëronte kombëtaren. E dija, por nuk e publikuam. E dija që nga ajo ditë. Nuk e kam botuar sepse është turp i madh”, tha Vuçiçeviq, mik i presidentit Vuçiq, i cili është “kryeredaktor” i tabloidit të tij.