Xhuliano Skuka ka ndjekur si spektator i interesuar Euro 2024. Në një farë mënyrë, edhe pa marrë pjesë në këtë aktivitet, sulmuesi ka përfituar nga një turne i tillë. Kjo, për shkak të shpërthimit në arenën ndërkombëtare të Georges Mikautadze.
Sulmuesi gjeorgjian është në majën e listës së goalshënuesve të turneut me 3 rrjeta të tundura me përfaqësuesen e vendit të tij dhe kjo e ka bërë lojtarin e Metz një nga emrat më të kërkuar në merkato.
Sipas Fabricio Romanos, klubi i Metz ka marrë që tani një ofertë të rëndësishme nga Monako për sulmuesin, i cili do të ishte shumë i lumtur t’i bashkohej gjigandëve të Ligës 1 për të vazhduar karrierën e tij atje. Gjithçka pritet të mbyllet brenda pak ditësh, me Mikautadze që do i jepte lamtumirën Metzit.
Kështu, mund të hapet një hapësirë më shumë për Skukën në radhët e klubit francez, gjithmonë nëse ai vendos të mbajë sulmuesin shqiptar në këtë edicion në kategorinë e dytë.