Vllaznia triumfoi me rezultatin 0-1 në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e sotme ndaj Zrinjskit, në stadiumin e Mostarit.
Ky test u vendos nga goli i Bekim Balajt në minutën e 2-të. Pas një harkimi nga këndi nga ana e Malës, topi mbeti në zonë, ku kapiteni shkodran nuk fali duke tundur rrjetën.
Vlen të theksohet fakti se Zrinjski, në sezonin e kaluar, e mbylli kampionatin në vendin e dytë. Kuqeblutë, para se të shkonin në Bosnjë, ku po zhvillojnë fazën përgatitore, kanë luajtur edhe një miqësore me Buduçnostin, ku humbën 1-3.
Në Medjugorje Vllaznia do të luajë edhe një tjetër miqësore para se të kthehet në Shkodër.