Smajli u bashkohet kampionëve

Futboll

Smajli u bashkohet kampionëve

Më: 29 qershor 2024 Në ora: 12:33
Geralb Smajli

Geralb Smajli pritet ta vijojë karrierën te Ballkani. Mbrojtësi shkodran ka marrë prej kohësh vendimin për të qenë pjesë e Vllaznisë e tashmë duket se ka vendosur të transferohet në Kosovë.

22-vjeçari do të prezantohet te Ballkani, me kampionët e Kosovës që edhe pse nuk e kanë zyrtarizuar si futbollistin e tyre, e aktivizuan në ndeshjen e fundit miqësore me Malishevën.

Mbrojtësi i djathtë, jo vetëm që mori minuta në ndeshjen e luajtur të premten, por arriti të shërbente dhe dy asiste, në fitoren 3-2 të skuadrës së Ilir Dajës.

Duke dhënë një sinjal të qartë se do të jetë garanci e madhe për linjën e djathtë të prapavijës. Smajli spikati edicionin e shkuar me Vllazninë, duke luajtur në 30 ndeshje, prej të cilave 27 si titullar.

Ballkani po përgatitet për ndeshjet e Champions League, ku e nis aventurën e tij në turin e parë kualifikues. Kundërshtari i kampionëve dardanë është Santa Coloma (Andorra). Në letër një kundërshtar inferior, por në kampin e Ballkanit e dinë mirë se duhet kujdes maksimal.

Skuadra nga Theranda ka shkruar historinë, duke marrë dy edicione radhazi pjesë në fazën e grupeve të Conference League, ndaj synimi i tyre është që minimalisht të përsërisin të njëjtin sukses.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat