Simon Simoni përjetoi emocionet e grumbullimit me kombëtaren e Shqipërisë në Euro 2024, ndonëse nuk ishte pjesë e listës përfundimtare. Trajneri Sylvinho dhe stafi i tij e panë të arsyeshme që t’i bënin vend në skuadër dhe në Gjermani, duke i dhënë besimin se do të jetë ai e ardhmja e portës kuqezi.
19-vjeçari, i cili para një viti e gjysmë u transferua për shifrën rekord të 1 milionë eurove nga Dinamo tek Eintracht Frankfurt, do të ndryshojë ambient gjatë kësaj merkatoje, por vetëm përkohësisht. Drejtuesit e Eintracht Frankfurt kanë vendosur që ta huazojnë “gardiani” kuqezi tek skuadra e Ingolstadt.
Te Frankfurt besojnë shumë tek cilësitë e Simonit, të cilit i kanë ofruar dhe një rinovim të kontratës, ndërsa në anën tjetër kanë arritur marrëveshjen me skuadrën që militon në ligën e tretë të Gjermanisë, në mënyrë që të marrë minuta e të jetë në formë, që edicionin e ardhshëm të jetë një alternativë me potencial për portën e Eintracht Frankfurt.
Duke qenë vetëm 19-vjeç, Simoni konsiderohet si një portier me të ardhme të madhe, ndaj te Eintracht Frankfurt po e trajtojnë me shumë kujdes portierin e lindur në Lezhë. Simoni do të jetë portieri i parë i Ingolstadt në sezonin e ri dhe nëse gjërat shkojnë mirë, edicionin e ardhshëm nuk do ishte aspak çudi që ta shohim të mbrojë kuadratin e një prej skuadrave më të mëdha në Gjermani si Eintracht Frankfurt.